Celebrities Gossip Showbiz

Dasmë si në përrallë! Dua Lipa dhe Callum Turner kurorëzojnë dashurinë, Elton John surprizoi me perfomancë?

Dua Lipa dhe bashkëshorti i saj, Callum Turner, kanë festuar martesën e tyre me një ceremoni spektakolare në Siçili, e cila u shndërrua në një nga ngjarjet më të komentuara të showbiz-it ndërkombëtar.

Pas martesës civile të zhvilluar pak ditë më parë në Londër, çifti organizoi një festë luksoze në Villa Valguarnera, një rezidencë historike pranë Palermos, ku familjarë, miq dhe emra të njohur të botës së artit u mblodhën për të festuar ditën e tyre të madhe.

Një nga momentet më emocionuese të mbrëmjes ishte performanca e legjendës së muzikës Elton John, i cili interpretoi hitin e tij të pavdekshëm “Your Song”, duke krijuar një atmosferë magjike për të sapomartuarit dhe të ftuarit.

Për ditën më të rëndësishme të jetës së saj, Dua Lipa raportohet se zgjodhi një fustan të veçantë të krijuar nga ikona e modës Donatella Versace. Krijimi luksoz, i zbukuruar me detaje diamantësh, e bëri këngëtaren qendrën e vëmendjes gjatë gjithë ceremonisë.

Nusja mbërriti në vilë në orët e mbrëmjes, duke ecur përgjatë një korridori të rrethuar me lule shumëngjyrëshe bougainvillea, ndërsa ceremonia u zhvillua nën një gazebo elegante të vendosur në qendër të oborrit.

Sipas burimeve të pranishme, shkëmbimi i betimeve ishte i thjeshtë, por jashtëzakonisht emocional, duke prekur jo vetëm çiftin, por edhe të ftuarit që ndoqën nga afër momentin.

Ambientet e vilës ishin dekoruar me bozhure dhe zymbyla, ndërsa mysafirët gjetën në vendet e tyre shami të qëndisura me mesazhin romantik: “Stay mad with me forever” (“Qëndro i çmendur me mua përgjithmonë”).

Mbrëmja kulmoi me një spektakël fishekzjarrësh që ndriçoi qiellin mbi Siçili për rreth dhjetë minuta. Banorët e zonës ndaluan për të ndjekur shfaqjen dhe dëgjoheshin duke brohoritur “Viva gli sposi”, që do të thotë “Rroftë çifti i sapomartuar”.

Mes të ftuarve VIP ishin edhe Charli XCX, prindërit e Duas, Dukagjin Lipa dhe Anesa Lipa, si dhe familjarët e Callum Turner.

Festimet kishin nisur që të enjten me një mbrëmje në jaht dhe vijuan të premten me një event në Galleria Moderna, ku Dua u shfaq me një krijim të personalizuar nga Bottega Veneta.

Megjithatë, jo gjithçka kaloi pa polemika. Disa banorë të Palermos protestuan për kufizimet e vendosura në disa zona publike gjatë festimeve, duke vendosur postera me slogane kundër privatizimit të hapësirave publike.

Ironikisht, vendi ku u zhvillua ceremonia ka një histori të pazakontë. Villa Valguarnera, sot një nga rezidencat më prestigjioze të Siçilisë, dikur ishte lidhur me aktivitete të mafias lokale. Aktualisht ajo menaxhohet nga Vittoria Alliata di Villafranca dhe është bërë e famshme ndërkombëtarisht pasi u përdor si lokacion xhirimesh për serialin “The White Lotus”.

Mes luksit, emocioneve dhe të ftuarve të famshëm, dasma e Dua Lipës dhe Callum Turner po konsiderohet tashmë si një nga ceremonitë më spektakolare të vitit në botën e showbiz-it.