Raundi i pestë i bisedimeve bërthamore mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara përfundoi në Romë javën e kaluar, por u panë shumë pak shenja të përparimit drejt ndonjë marrëveshjeje. U tha se pati propozime për ta zhbllokuar ngërçin, që ndodh sepse Uashingtoni ngul këmbë që Irani të heqë dorë nga pasurimi i uraniumit dhe Teherani po e kundërshton këtë plotësisht.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, i cili drejton ekipin e Teheranit në këto bisedime, iu tha mediave shtetërore se Irani po i shqyrton propozimet e ndërmjetësve nga Omani, por nuk dha hollësi.
Propozimet e Omanit
Araqchi raportoi para Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare dhe Politikën e Jashtme më 25 maj, menjëherë pas përfundimit të raundit më të fundit të bisedimeve në Romë. Pas raportimit të Araqchit, Ahmad Bakhshayesh Ardestani, deputet dhe anëtar i komisionit, iu tha mediave iraniane se Omani kishte paraqitur dy propozime.
Njëri sugjerim ishte që Irani ta pezullojë veprimtarinë e pasurimit të uraniumit për gjashtë muaj dhe ta fillojë më pas. Ardestani tha se Irani “nuk i ka pranuar” propozimet. Ai theksoi se Irani ka frikë se nëse i bindet kësaj kërkese do t’i nxisë Shtetet e Bashkuara të kërkojnë edhe më shumë favore.
Një tjetër propozim është formimi i një konsorciumi bërthamor rajonal që do ta shtonte mbikëqyrjen ndaj aktiviteteve bërthamore të Iranit e do t’i jepte Perëndimit garanci se Irani po qëndron brenda niveleve të dakordësuara të pasurimit. Fillimisht, mediat iraniane raportuan se nisma kishte ardhur nga Teherani, por zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmail Baqaei, e mohoi.
Debati mbi pasurimin e uraniumit është kthyer në çështje krenarie kombëtare dhe identiteti për Iranin. Araqchi tha se vendi ka paguar çmim shumë të lartë, përfshirë humbjen e disa shkencëtarëve bërthamorë në atentate ndaj nuk mund ta braktisë tani programin e pasurimit të uraniumit, sikur të mos ketë ndodhur gjë.
Që nga koha kur Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 gjatë mandatit të tij të parë dhe rivendosi sanksionet, Republika Islamike e ka zgjeruar ndjeshëm programin bërthamor. Irani po këmbëngul se programi i tij është paqësor dhe mohon se po zhvillon armë bërthamore.