Bota Botë e Çuditshme

Ngjarje e pazakontë në Los Angeles, do të zhvillohet gara e parë botërore e spermarozoidëve?

Një nga ngjarjet më të pazakonta dhe inovative që kemi parë ndonjëherë pritet të mbahet së shpejti në Los Angeles – bëhet fjalë për garën e parë botërore të spermës, e organizuar nga startup-i “Sperm Racing”.

Ngjarja do të zhvillohet në ambientet e famshme të Hollywood Palladium, ku dy mostra sperme do të “përballen” në një pistë simulimi 20 centimetra të gjatë, që imiton sistemin riprodhues njerëzor.

Shikuesit do të kenë mundësinë të ndjekin garën në kohë reale përmes kamerave me rezolucion të lartë, të shoqëruara me komente të drejtpërdrejta, statistika, ripërsëritje dhe – siç pritet – një interes të madh bastesh.

Organizatorët theksojnë se, përtej spektaklit, ngjarja ka për qëllim të nxisë ndërgjegjësimin për rënien e fertilitetit mashkullor në mbarë botën. Bashkëthemeluesi i kompanisë, Eric Zhu, thekson rëndësinë e lëvizshmërisë së spermës – një faktor kyç për fertilitetin mashkullor, i cili shpesh neglizhohet.

Shtysa jonë nuk është thjesht argëtimi, por rritja e vetëdijes për një problem shëndetësor që preku miliona meshkuj. Shëndeti është një garë, dhe të gjithë meritojnë një vend në vijën e nisjes

“Sperm Racing” ka siguruar tashmë 1 milion dollarë në financime, ndërsa gara e pazakontë po cilësohet si një ndërthurje mes teknologjisë, ndërgjegjësimit dhe humorit, që ka për qëllim ta bëjë shëndetin riprodhues një temë më të diskutueshme dhe të hapur në publik.

Disa fakte që nuk i dinit rreth fertilitetit mashkullor:

– Rreth 7% e meshkujve në Mbretërinë e Bashkuar përballen me probleme fertiliteti.

– Gjysma e rasteve të infertilitetit në çiftet heteroseksuale kanë lidhje me mashkullin.

– Shkaqet variojnë nga numri i ulët i spermës, lëvizshmëria e dobët e saj, deri te faktorë të panjohur.

– Zgjidhjet përfshijnë ndryshime në stilin e jetesës, trajtime mjekësore dhe teknika të riprodhimit të asistuar.

Ngjarja pritet të tërheqë vëmendjen globale jo vetëm për natyrën e saj të pazakontë, por edhe për rëndësinë që i jep një problematike gjithnjë e më të përhapur.