Aktualitet Politikë

Niko Peleshi nuk u shkarkua, Berisha: E kanë kthyer parlamentin në klub kaosi!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzon maxhorancën dhe qeverinë se e kanë shndërruar parlamentin në “klub kaosi”, ku mungon çdo rregull dhe respekt për procedurat ligjore. Pasi me votat e socialistëve u rrëzua kërkesa e opozitës për shkarkimin e Niko Peleshit nga posti i kryeparlamentarit, Berisha e akuzoi Peleshin se me “hipokrizi” ka mbrojtur kolapsin e plotë parlamentar që sipas tij, ka përfshirë institucionin më të lartë ligjvënës të vendit.

Këta e kanë shndërruar parlamentin në një klub, në të cilin nuk ka asnjë rregull, ka vetëm kaos. Ajo që kryeson sot aty, nuk merrte vesh se çfarë hidhte në votim. Aty janë dy raporte, hidhen dy raportet dhe pastaj bëhet votimi.

Ka procedurë të sanksionuar në rregullore, por këta nuk njohin rregullore, njohin vetëm urdhra që marrin dhe pastaj bëjnë të paditurin.

E dëgjuat Niko Peleshin se si u përpoq me hipokrizinë më të madhe të mbrojë kolapsin e plotë parlamentar që ka krijuar?

A ka ndodhur ndonjëherë në historinë e ndonjë parlamenti në botë që të kalojë për 28 minuta dhe të miratohet kabineti i ri dhe programi i saj? Kurrë!

Ka ndodhur ndonjëherë që në seanca të tëra, parlamenti të mbyllet brenda disa minutash dhe ka dy muaj që ka nisur punë e ka pasur vetëm një ditë punë? Nuk ka ndodhur ndonjëherë.

Këta vazhdojnë në një kaos të plotë. Flasin përçart. Do ta bëjë Parlamentin Europian, dëgjoni se cili është standardi europian, në një kohë kur parlamenti ka delinkuentë sa çdo burg tjetër i vendit.