Aktualitet Politikë

PD ndërpret bojkotin e seancave, rikthehet në parlament! Berisha: Amendamentet tona në sirtarët e Peleshit!

Kuvendi po zhvillon seancën plenare të radhës ku deputetët do të shqyrtojnë një sërë çështjesh që lidhen me procesin e integrimit europian, legjislacionin ekonomik, si edhe veprimtarinë vjetore të institucioneve kushtetuese dhe të drejtësisë.

Partia Demokratike ka vendosur të ndërpresë bojkotin e seancave parlamentare dhe të rikthehet në Kuvend. Vendimi është marrë pas mbledhjes në seli të grupit parlamentar.

Pas këtij momenti, Sali Berisha tha në një deklaratë se mazhoranca ka injoruar kërkesat e protestuesve dhe është armike e tubimit. Sipas kreut të PD, “dëshmi” për këtë janë amendamentet që grupi i PD ka dorëzuar në Kuvend.

“Injorim i plotë dhe total të kërkesave të drejta, legjitime të protestuesve për t’i sjellë në parlament. U faktua përfundimisht se kjo narkomazhorancë ka vetëm armiqësi të hapur ndaj protetës rinore qytetare dhe asgjë tjetër. Nuk merr parasysh asgjë tjetër dhe këtë e dëshmojnë amendamentet tona që kanë 3 javë që i mban Edi Rama në sirtarët e Niko Peleshit”, tha Berisha.

Duke iu drejtuar kryeparlamentarit Niko Peleshi, Sali Berisha e quajti “vasalin më të shpifur të Edi Ramës” dhe “armik të egër” të Kushtetutës dhe procesit të integrimit. Gjuha e tij mori përgjigje nga kryetari i parlamentit që i ndërpreu fjalën dhe i tha të mos tejkalojë etikën parlamentare, në të kundërt do të marrë masat.

Sali Berisha: Do të mbetesh në historinë e këtij vendi si vasali më i shpifur i Edi Ramës, si armik i egër i Kushtetutës dhe të drejtave kushtetuese të deputetëve. Si armik i egër i procesit të integrimit të Shqipërisë. Ka 1 muaj që janë dorëzuar amendamentet për amendimin e ligjeve që KE kërkon të anulohen dhe amendohen të cilat protesta më e fuqishme pas viteve ’90 kërkon të anulohen dhe dil përpara…

Niko Peleshi: Nuk ju drejtohem me ti. Mos tejkaloni etikën parlamentare! Mos përdorni epitete! Do t’ju ndërpres sa herë të shkeni rregulloren! Do të marr masa sipas rregullores për të gjithë deputetët që na sjellin këut një lumë fjalësh që nuk na takon ne!

Pak para këtij vendimi Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme u shpreh se ata duhet t’i rikthehen punës parlamentare.

 “Besoj që edhe kolegët deputetë të opozitës të vijnë në Kuvendin e Shqipërisë. Shpresoj në orën 11:00 të ketë tym të bardhë, në mënyrë që t’i rikthehen punës parlamentare, për të votuar ligjet që lidhen me përafrimin e legjislacionit me acquis communautaire”, u shpreh Balla.

Deputetja demokrate Jorida Tabaku kundërshtoi ndryshimin e rendit të ditës, ku më kërkes ëtë PS u hoq projektligji për “shoqëritë europiane”. Opozita u ankua se Kuvendi nuk fut në rend dite kërkesat e saj, për të diskutuar për protestën. Sipas Tabakut, nuk mund të ketë dy standarde për integrimin europian.

“Ligji i investimeve strategjike për disa nga deputetë është i ri, disa nga ne kanë 10 vite që e kundërshtojnë. Kërkesat tona për shfuqizim shkuan në vesh të shurdhër, ka shpërndarë rreth 80 projekte, 70 për dhënie leje turizmi, ka tërhequr vetëm një investim të huaj. Vetëm ndarje favoresh. Në 2022, ne emër të grupit të PD solla propozim për ta pezulluar atë ligj, sepse shoqëria s’ka përse ti ndajë aeroporti e portet sikur të jenë të nënës e të babës. Është betejë e gjatë, s’mund të ketë dy standarde e duam integrimin për ligjin e të drejtës së autorit, por jo për investimet strategjike apo zonave të mbrojtura. Ose ka një proces integrimi me vullnet të plotë, ose këto gënjeshtra për qytetarët nuk mund të ketë”, tha Tabaku.