Aktualitet Rajoni

Nis vaksinimi masiv në Maqedoninë e Veriut!

Në Maqedoninë e Veriut sot nisi vaksinimi masiv kundër koronavirusit. Imunizimi filloi me 24 mijë dozat e vaksinës së AstraZeneca-s që mbërritën pak ditë më parë në Shkup përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Përveçse në Shkup, procesi po zhvillohet dhe në 9 qytete të Maqedonisë së Veriut për personat mbi 77-vjec, të cilët njoftohen nga mjeku i familjes.

Në vendin fqinj, vaksinimi ka përfunduar më herët për më shumë se 7 mijë punonjës shëndetësorë të cilëve iu injektuan doza të vaksinës ruse Sputnik V. I pari që ka marrë vaksinën ditën e sotme ishte 85-vjeçari Sotir Keleshovski, i cili kishte një mesazh për të gjithë qytetarët:

Duhet të vaksinohemi të gjithë dhe jo të kemi frikë nga vaksina.

Me dozat e mbërritura nga AstraZeneca, Ministria e Shëndetësisë theksoi se do të vaksinohen vetëm personat të moshës mbi 60-vjeç. Zyrtarët shëndetësorë kanë njoftuar se 76,000 doza shtesë të vaksinës COVID-19 do të mbërrijnë deri në fund të prillit.

Rikujtojmë, se është anulluar censusi në Maqedoninë e Veriut. Pas bisedimeve disa orëshe mes Kryeministrit Zoran Zaev dhe opozitarit Hrisitjan Mickoski, u ra dakord për shtyrjen e regjistrimit të popullsisë për në shtator.