Të apasionuarit pas hapësirës, të magjepsur pas aventurës në Hënë të astronautit të NASA-s, Neil Armstrong, shpenzuan më shumë se 4 milionë dollarë apo 3.5 milionë euro, vetëm në ditën e parë të një ankandi të rrallë të sendeve personale të Armstrongut.
Kostume fluturimi, medalje, flamuj dhe fotografi ishin mes sendeve që dolën nën çekiç, duke i dhënë fansave të hapësirës mundësinë për t’u bërë zotër të një copëze historie.
Objekti i shitur më shtrenjtë deri më tani është një stemë që mbante imazhin e modulit hënor “Apollo 11”, stemë kjo që u shit për 468.500 dollarë. Kostumi i fluturimit, i veshur nga Armstrong gjatë programit “Gemini”, u shit për 87 mijë dollarë.
Një tjetër send i shitur në ankand ishte një zarf i nënshkruar nga Armstrong, astronauti Buzz Aldrin dhe pjesëtari tjetër i ekuipazhit, Michael Collins. Zarfi ishte një lloj garancie, që pjesëtarët e familjeve mund ta shisnin, nëse astronautët nuk do të ktheheshin në tokë. Zarfi u shit për 18.750 dollarë.
Ankandi, ndërkohë, vazhdon edhe për një ditë tjetër.