Sëmundjet e zemrës mbeten një nga shkaqet kryesore të vdekjeve në botë, ndërsa shumë njerëz me rrezik të lartë nuk e dinë aspak se sa të ekspozuar janë. Sipas Dr Vassily Eliopoulos, mjek i specializuar në jetëgjatësi dhe bashkëthemelues i platformës Longevity, një test i vetëm gjaku mund të luajë rol kyç në parandalimin e atakeve kardiake sidomos tek personat që duken të shëndetshëm sipas analizave tradicionale. Në një video të publikuar në Instagram në maj 2025, Dr Vassily paralajmëroi:
Nëse doni të siguroni që të mos vdisni kurrë nga një atak kardiak, ekziston një test i vetëm që duhet ta bëni. Shumë mjekë tradicionalë e injorojnë, por mungesa e tij mund të jetë diferenca mes jetës dhe vdekjes.
Ai shpjegoi se analizat e zakonshme të kolesterolit përqendrohen tek niveli LDL, por shpesh nuk zbulojnë një grimcë shumë më të rrezikshme. “Gjysma e viktimave të atakeve kardiake kanë LDL (kolesteroli i keq) normal,” theksoi ai. Ndërkohë, një grimcë e trashëguar, shumë ngjitëse, mund të krijojë pllaka në arterie pa u zbuluar nga testet standarde. Sipas tij, 1 në 5 persona e mbart këtë grimcë të rrezikshme.
Dr Vassily tha se kjo grimcë ngjitet në muret e arterieve, oksidohet me shpejtësi dhe nxit formimin e pllakave të buta ato që kanë më shumë gjasa të çahen dhe të shkaktojnë atak fatal. Edhe testet e zakonshme si “stress test” nuk arrijnë ta zbulojnë këtë rrezik. Zgjidhja, sipas tij, është një test i thjeshtë gjaku: paneli i apolipoproteinave, veçanërisht shënuesi Apolipoprotein B (ApoB). “ApoB mund t’ju japë paralajmërim për dekada dhe një plan të qartë për të mbrojtur zemrën,” u shpreh ai. Ky shënues pasqyron numrin e grimcave që formojnë pllaka në gjak dhe konsiderohet nga ekspertët si një tregues më i saktë i rrezikut kardiovaskular sesa LDL (kolesteroli i keq) i vetëm.