Aktualitet Art & Kulturë Bota Rajoni Sport

Një vit lajme, zhvillimet kryesore të 2024-ës!

2024-a u mbyll në 12 muaj me ngjarje e zhvillime. Për disa prej tyre duhet të presim këtë vit: zgjedhjet parlamentare të 11 majit, me risi votën e emigrantëve, mbylljen e përkohshme të TikTok-ut apo nisjen e madhe nga Shqipëria të një prej turneve më të famshëm çiklistik në botë, “Giro d’Italia”, po në maj. Edhe Kosova voton më 9 shkurt ndërsa nga bota, asgjë e re sa i përket konflikteve në Ukrainë e Lindjen e Mesme. Paqja duket larg.

Vendi

2024-a ishte viti i Shqipërisë në progresin drejt BE-së. Vendi hapi bisedimet me Bashkimin Europian për grupkapitullin themelor që ndër të tjera përfshin gjyqësorin, të drejtat themelore e politikat kundër korrupsionit, si edhe për grupkapitullin mbi politikën e jashtme, sigurinë e mbrojtjen. Për të rritur bashkëpunimin në dy fushat e fundit, në Bruksel u firmos marrëveshje partneriteti Shqipëri-BE.

Pas 29 vitesh, Shqipëria doli nga lista e vendeve në monitorim nga Këshilli i Europës. Vendimi me 52 vota pro u mor më 17 prill nga Asambleja Parlamentare e këtij Këshilli. Vendi ynë monitorohej në përmbushjen e detyrimeve dhe angazhimeve, në respekt të rregullave të aderimit.

Të vendosur për të vazhduar në parlament betejën kundër qeverisë, demokratët nuk iu bashkuan votimit për miratimin e projekt-rezolutës mbi thellimin e reformave për sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin, për të mbështetur anëtarësimin europian të Shqipërisë në 5 vitet e ardhshme. Opozita refuzoi edhe dy komisionet e posaçme lidhur me luftën kundër korrupsionit e dezinformimin.

2025-a është vit elektoral, por korriku i 2024-ës shënoi një moment të rëndësishëm kur në kuvend u votua Kodi i ndryshuar Zgjedhor, që mundëson votën e shqiptarëve, të cilët jetojnë jashtë vendit. Ndërkaq, 106 deputetë votuan pro mbylljes së listave të kandidatëve. Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e 7 partive të vogla e disa deputetëve të opozitës që kundërshtojnë formulën për listat.  Zgjedhjet do të zhvillohen më 11 maj.

Jeta parlamentare kaloi mes tensioneve të forta vitin e kaluar. Me protestën e 7 tetorit në kryeqytet, opozita që kërkon qeveri teknike shpalli mosbindjen civile që e zhvendosi edhe në kuvend.

Vazhdimisht, parlamenti u kthye në arenë trazirash, si djegia e karrigeve në fund të shtatorit. Kjo pasi deputeti demokrat, Ervin Salianji u dënua me 1 vit burg nga Apeli për “Kallëzim të rremë” në audiopërgjimin ku pretendohej përfshirja në trafik droge e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Vendimin e quajti “politik”.

Politika u përplas edhe për mandatin e deputetes socialiste, Olta Xhaçka. Opinionin e Komisionit të Venecias, sipas të cilit “parlamenti nuk detyrohet të votojë në një mënyrë të caktuar, por është në gjendje të votojë vetëm për çështje brenda kompetencës së tij”, maxhoranca dhe opozita e lexuan ndryshe.

Me akuzat se ka përfituar fonde publike, demokratët kërkojnë t’i ndërpritet mandati Vullnet Sinajt. Deputeti socialist mohon të ketë përfituar.

Por jo vetëm kaos, kuvendi pati edhe seanca paqësore si e 21 marsit që riktheu normalitetin në sallën e trazuar prej tetorit 2023. Paqja e përkohshme politike prodhoi ngritjen e dy komisioneve hetimore të kërkuara nga opozita, për sistemin TIMS dhe koncesionet e Sterilizimit e Check Up-it ndonëse në fund, palët nuk dolën me raporte të përbashkëta. Me votat e bashkuara kaloi edhe Kodi i ndryshuar Zgjedhor, Amnistia Penale apo falja e gjobave.

Nga shtatori, drejtimi i Kuvendit iu besua Elisa Spiropalit pasi Lindita Nikolla njoftoi largimin për shkak të një situate personale shëndetësore. Socialisti Bledi Çuçi u zgjodh nënkryetar, në vend të Ermonela Felajt. Ndryshimet prekën edhe qeverinë. Ervin Hoxha, Pirro Vengu dhe Petrit Malaj u vunë në krye të ministrive të Brendshme, Mbrojtjes dhe Financave.

Edhe në vitin që sapo u mbyll, hetimet e arrestimet e SPAK-ut, si dhe disa vendime gjyqësore ishin kryefjalë. Ish-presidenti Ilir Meta u arrestua më 21 tetor nën dyshimet për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie. Edhe ndaj Monika Kryemadhit rëndojnë dyshimet për të njëjtat vepra penale. Çifti po divorcohet.

Në nëntor, Apeli i Posaçëm la në fuqi arrestin me burg për Metën e detyrimin për paraqitje ndaj Kryemadhit. Kreu i Partisë së Lirisë foli për proces të ndikuar politikisht ndërsa Kryemadhi akuzoi SPAK-un për “falsifikim provash”.  Dy vila të Monika Kryemadhit e nënës së saj u vunë nën sekuestro.

Po në nëntor, Sali Berisha rifitoi lirinë e plotë pas 11 muajve izolim. Ish-kryeministrit të dyshuar për korrupsion lidhur me privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani” në Tiranë, Gjykata e Posaçme i rrëzoi arrestin në shtëpi. Dhëndrit të tij, nuk iu revokua masa e sigurisë. Jamarbër Malltezi mbetet në arrest shtëpie.

Për Berishën, dalja nga izolimi ishte tjetër lajm i mirë pas atij të 11 qershorit kur PD-ja pa zgjidhjen e përplasjes së brendshme. Gjykata e Apelit i kaloi vulën, duke mos pranuar ankimimin nga përfaqësuesit e Lulzim Bashës, i cili njoftoi rekurs në Gjykatën e Lartë. Por, jashtë vendit, Berisha humbi apelin kundër ndalimit të hyrjes në Mbretërinë e Bashkuar nga 2022-shi.

Me SPAK-un shumë aktiv, në dyert e Strukturës së Posaçme u paraqitën zyrtarë e ish-zyrtarë. Hetimet përfshinë edhe kryebashkiakun e Tiranës e familjarë të tij. Ndaj Erion Veliajt nuk ka akuzë ndërsa vijojnë hetimet paraprake mbi procedimin penal të nisur për “Korrupsion pasiv”. Sipas prokurorisë ka të dhëna konkrete edhe për “Korrupsion aktiv”, “Pastrim parash” e “Fshehje pasurish”.

Rreth 1 javë më parë, Veliaj u thirr në SPAK dhe duke folur para Këshillit Bashkiak të Tiranës, u shpreh se u denoncua nga një qytetar i quajtur Nesti Angoni, për të cilin deklaroi se nuk ekziston. Sipas tij ky është një “kurth i sajuar” e vuri në dukje se ka qenë bashkëpunues. Hetimin, mbrojtja e Veliajt e cilësoi “keqdashës, të qëllimshëm e në kundërshtim me ligjin”.

Në fund të marsit, SPAK-u arrestoi disa drejtorë e ish-drejtorë të Bashkisë Tiranë. Kryetari Veliaj u distancua duke theksuar se asnjë përfitim i paligjshëm personal nuk e ka lidhur kurrë as me ta dhe me askënd tjetër gjatë detyrës. Opozita nisi protestat para Bashkisë duke i kërkuar dorëheqjen.

Disa kryebashkiakë e ish-kryebashkiakë, si dhe vartës të tyre u përballën me SPAK-un e vendime gjyqësore më 2024-ën. Rexh Byberi i Tropojës u mor nën hetim për shpërdorim detyre dhe është në arrest shtëpie. E njëjta masë sigurie për nënkryetarin Abedin Kërrnaja.

Po për shpërdorim detyre, Prokuroria e Posaçme dërgoi për gjykim kryebashkiakun e Devollit, Eduard Duro, me tre vartës.

Më 18 mars, kryebashkiaku i Libohovës, Leonard Hide u mor i pandehur nën dyshimet për shpërdorim detyre.

Tjetërsimi i tokave në bregdet, u mbyllën hetimet për ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro. Pas zgjedhjeve të 4 gushtit, Himara drejtohet nga Vangjel Tavo.

Një tjetër emër i lidhur me Himarën, Fredi Beleri, u lirua me kusht në shtator pasi kaloi 16 muaj në burg për korrupsion në zgjedhje. Beleri u zgjodh eurodeputet i Greqisë.

Për vepra të ndryshme penale si falsifikim i vulave e formularëve, shpërdorim detyre, korrupsion, fshehje e deklarim të rremë pasurie, Gjykata e Posaçme dënoi kryetarin e Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari, si edhe ish-kryebashkiakët e Durrësit, Libohovës e Lushnjës, Vangjush Dako, Luiza Mandi dhe Fatos Tushe.

Në qershor, Apeli i Posaçëm ashpërsoi dënimin nga 3 në 4 vjet e gjysmë burg për ish-kryebashkiakun e Kukësit, Safet Gjici duke i ndryshuar akuzën në korrupsion pasiv. Gjici përfiton nga gjykimi i shkurtuar.

Fajtor për shpërdorim detyre, Apeli i Posaçëm vendosi kthimin në burg të ish-kryetarit të Bashkisë Lezhë, Fran Frrokaj, i cili nuk u gjet pas urdhrit për ekzekutimin e dënimit me 2 vite e 8 muaj heqje lirie.

Në ditët e fundit të dhjetorit, SPAK-u ashpërsoi akuzat ndaj Ilir Beqajt, Klodian Rrjepajt e Ilir Rrapajt lidhur me dosjen e Sterilizimit. Për ish-ministrin e Shëndetësisë, ish-zv.ministrin e sipërmarrësin, u ngritën akuzat e “grupit të strukturuar kriminal”, si dhe “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”. Që të tre mbahen në arrest me burg, por Beqaj për një tjetër çështje.

Në tetor u arrestua ish-deputeti socialist Jurgis Çyrbja për lidhje me krimin e shitje të sekretit shtetëror.

Për korrupsion e pastrim parash u prangos Evis Berberi, i cili drejtonte Autoritetin Rrugor Shqiptar. Me të u arrestuan dy bashkëpunëtorë.

Në nëntor, SPAK-u dërgoi për gjykim rastin e një tenderi ku nën akuzë është deputeti socialist, Plarent Ndreca. Për gjykim edhe Asllan Dogjani. Ligjvënësi demokrat dyshohet se paraqiti kontratë fiktive për blerjen e një apartamenti.

Si person nën hetim, në SPAK shkoi edhe deputeti socialist, Bujar Çela për shpërthimin në fillim të marsit në biznesin e tij në Lushnjë, me 2 viktima e 7 të plagosur mes tyre vetë Çela. Para se të shpallte moskompetencën, Prokuroria e Fierit e akuzoi për “Shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”, “Ndërtim të paligjshëm” e “Shkatërrim të pronës nga pakujdesia”.

Për ish-sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako, SPAK-u mbylli hetimet lidhur me përfshirjen e tij në rastin e inceneratorit të Tiranës duke kërkuar dërgimin për gjykim.

Mes të arrestuarve në vitin 2024 ishte edhe kryeprokurori i Vlorës, Aurel Zarka. Prokuroria e Posaçme e akuzoi se në bashkëpunim me tre persona, ndërhynte duke ofruar e marrë favore në disa raste hetimesh penale.

Në prill, shefi i IT-së në Policinë e Shtetit, Ervin Muço u vu në arrest shtëpie dhe u pezullua, i dyshuar se në verën e 2023-shit ndërhyri në sistemin TIMS.

Në vitin 2024, SPAK-u ndërmori një sërë operacionesh që shënjestruan organizata kriminale duke çuar në goditjen e tyre, si dhe janë konfiskuar pasuri. Ndihmesë dha edhe zbërthimi i përgjimeve në aplikacionin “Sky ECC”.

Dy ditë më parë, Kushtetuesja vendosi që përgjimet “Sky Ecc” të përdoren si prova në proceset gjyqësore. Falë zbërthimit të këtij aplikacioni të koduar, SPAK-u goditi 9 grupe kriminale të fuqishme, arrestoi shumë të dyshuar, si dhe ka zbardhur ngjarje të rënda në vite.

Kryeprokurori i Posaçëm, Altin Dumani u nderua nga Departamenti amerikan i Shtetit si kampion kundër korrupsionit.

Më 27 maj, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi të ndërpresë mandatin e drejtuesit të tij, Alfred Balla pasi Kolegji i Posaçëm i Apelimit e la jashtë sistemit të Drejtësisë për 15 vite.

Duke shmangur një përplasje institucionale me Gjykatën e Lartë, Kushtetuesja deklaroi përfundimin e mandatit të kryetares Holta Zaçaj, më 10 mars të këtij viti. Më herët pati dhënë dorëheqjen anëtarja Elsa Toska, 5 vjet pasi u zgjodh nga Kuvendi që hapi garën për ta zëvendësuar.

Nuk justifikoi pasuritë e patundshme, në shkurt, Apeli i Posaçëm la në fuqi dënimin me 1 vit në shërbim prove për ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja. E njëjta gjykatë uli nga 12 në 6 muaj burg dënimin për Ardian Hajdarin, anëtarin e pezulluar të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, për fshehje të pasurisë. 6 muajt u konvertuan në 1 vit shërbim prove.

Në tetor të 2024-ës, GJKKO-ja e gjeti “të drejtë” kërkesën e prokurorisë për deklarimin fajtor të ish-anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo për fshehje pasurie dhe e dënoi me 9 muaj burg, por që u konvertuan në 80 orë punë publike.

Me 2024-ën përfundoi edhe veprimtaria e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, pas 7 viteve rivlerësim të gjyqtarëve e prokurorëve.

Në vitin që mbyllëm, Gjykata Kushtetuese rrëzoi ankimimin e opozitës duke e cilësuar “në pajtim me Kushtetutën protokollin Meloni-Rama” për dërgimin në vendin tonë të emigrantëve që zbarkojnë në brigjet italiane. Në kampet e ngritura nga Italia duhet të qëndrojnë gjatë kohës që iu shqyrtohen kërkesat për azil. Kuvendi i Shqipërisë e miratoi më 22 shkurt akordin, por zbatimi po pengohet nga gjykatat italiane. Këtë muaj, kryeministrja Meloni pret zgjidhje se siç tha, Gjykata e Lartë ra dakord me qeverinë e saj.

Po më 2024-ën, Shqipëria dhe Italia mbyllën marrëveshjen për pensionet. Nga dokumenti që ministrat e Jashtëm firmosën në Romë përfitojnë mbi 500 shqiptarë që jetojnë në Itali.

Pasi Kushtetuesja kërkoi uljen në 1 deri në 3 vjet për shërbimin e detyruar mjekësor brenda vendit, në shtator, Kuvendi miratoi ndryshimet e kërkuara për studentët e Mjekësisë.

Ndër të tjera vendime të Gjykatës Kushtetuese ishin shfuqizimi i ndryshimeve ligjore që parashikonin tatimin mbi të ardhurat për profesionet e lira, rrëzimi i maxhorancës për ndërhyrje të njëanshme në ligjin për komisionet hetimore, si dhe i kërkesës së opozitës për shfuqizimin e marrëveshjes mes qeverisë e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim lidhur me menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit për 10 vjet.

Kallëzimi i familjarëve të Aleks Nikës, njërit prej 4 protestuesve të vrarë më 21 janar 2011 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, Gjykata e Lartë vendosi që dosja të hetohet nga SPAK-u.

Në fund të tetorit, në Durrës mbërriti anija me mbetje industriale të dyshuara si të rrezikshme. Pas disa muajve në det, më 8 nëntor, kontejnerët me 2100 tonelata u lejuan të hynin në port. Prokuroria sekuestroi ngarkesën që u dërgua në një zonë të sigurt.

Më 18 nëntor, mbarë opinioni publik u trondit nga vrasja me thikë e 14 vjeçarit Martin Cani nga një bashkëmoshatar pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë, pas një konflikti që dyshohet se nisi në rrjetet sociale. Shoku i viktimës, gjithashtu i mitur, u plagos ndërsa autori i dyshuar u arrestua.

Vrasja e Martinit çoi në protesta, si edhe në konsultime të kryeministrit Rama e ministres së Arsimit, Manastirliu me prindër dhe mësues. Rama njoftoi mbylljen për 1 vit të TikTok-ut, si pjesë e planit për rritjen e sigurisë në shkolla.

TikTok-u tha se donte sqarime urgjente nga qeveria shqiptare dhe deklaroi se “nuk ka gjetur prova që autori ose viktima të kishin llogari në të”. Opozita sulmoi vendimin e ekzekutivit duke e cilësuar “akt të pastër elektoral”.

2024-a do të shënohet edhe për disa atentate në vend me viktima e të plagosur e që nuk kanë kursyer as qytetarë të pafajshëm si masakrat e Dobraçit në Shkodër apo e Memaliajt ku mes të vrarëve numërohen 4 njerëz pa asnjë lidhje me personat e shënjestruar.

Në fund të prillit, një sasi tritoli shpërtheu në derën e jashtme të banesës së gjyqtarit të Shkodrës, Tonin Stërkaj, duke shkaktuar dëme materiale. Këshilli i Lartë Gjyqësor dënoi ngjarjen si “akt kriminal”.

Vëmendje të veçantë mori edhe skandali i Spitalit Onkologjik në Tiranë ku një hetim zbuloi një skemë abuzimi me pacientët. Mjekë dhe bashkëpunëtorë të tyre u vunë nën akuzë. Ky skandal nxiti ndryshime në ligjin e Urdhrit të Mjekut, që kuvendi i miratoi më 12 shtator.  Ndër të tjera, bluzave të bardha nuk iu lejohen mbi 50 orë punë në muaj te privati e as t’iu sugjerojnë shërbime te privati, pacientëve të spitaleve publike.

Shqipëria numëron mbi 2 milion e 400 mijë banorë, një tkurrje me rreth 420 mijë krahasuar me 2011-ën apo afro 17%. Kjo sipas të dhënave të Censit 2023, të publikuara në fund të qershorit. Lidhur me besimin fetar, 1.1 milion u deklaruan myslimanë, 384 mijë të krishterë, 85 mijë ateistë e 332 mijë, të pacilësuar.

Në Katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër, në mes të nëntorit të kaluar u mbajt mesha solemne dhe riti i Lumnimit të dy martirëve të rinj të Kishës Katolike në Shqipëri e Kosovë, Don Gjon Gazulli e Atë Luigj Paliq.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë rizgjodhi kryetar Bujar Spahiun, por jo pa kundërshtime. Disa besimtarë hodhën akuza se udhëheqja e këtij institucioni është kapur nga njerëz të organizatës FETO, që Turqia e konsideron “terroriste”. 7 muaj pas këtij zhvillimi, më 10 tetor u inaugurua Xhamia e Namazgjasë në kryeqytet, në prani të presidentit turk Erdogan. Drejtimi iu besua kryemyftiut të Tiranës, Bilal Teqja.

Nga Nju Jorku ku në shtator mori pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kryeministri Rama hodhi idenë e transformimit të Qendrës së Urdhrit Botëror Bektashi në një shtet sovran brenda Tiranës. Komuniteti Mysliman shprehu shqetësimin se kjo ide mund të jetë precedent “i rrezikshëm për të ardhmen e vendit”.

Prania e Erdogan-it nuk ishte e vetmja vizitë e një personaliteti të huaj në vendin tonë për 2024-ën. Në mesin e muajit shkurt, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken qëndroi për 8 orë në Tiranë duke e vënë theksin te partneriteti i fortë i SHBA-ve me Shqipërinë. Krahas presidentit Begaj e kryeministrit Rama, Blinken takoi edhe drejtues të institucioneve të Drejtësisë.

Në fund të shkurtit, Tiranën e vizitoi Volodymyr Zelensky. Presidenti ukrainas mori pjesë në samitin e vendeve të Europës Juglindore duke i ftuar për një bashkëpunim të mundshëm në prodhimin e municioneve që i duhen Ukrainës në përballjen me rusët. Në deklaratën e miratuar, komunitetit ndërkombëtar iu bë thirrje të rrisë fuqishëm mbështetjen për Ukrainën.

Baza ajrore e NATO-s në Kuçovë u inaugurua më 4 mars. Investimi mbi 50 milion euro i Aleancës shkoi për këtë bazë të evidentuar me rëndësi strategjike edhe për rajonin e Ballkanit.

Më 20 dhjetor u mbajt mbledhja e përbashkët e parlamenteve të Kosovës e Shqipërisë në Prishtinë, në prani të dy kryeministrave. Liderëve të Kosovës, Rama iu bëri thirrje të zbatojnë të gjitha detyrimet nga dialogu me Serbinë për të përparuar në rrugën euroatlantike. Kurti u shpreh se “refuzimi agresiv i Beogradit për të njohur Kosovën po pengon integrimin euroatlantik”.

Kurti-Rama firmosën marrëveshje bashkëpunimi për Lojërat Mesdhetare 2030 që do të mbahen në Kosovë, por akordi mundëson që sporti i lundrimit të zhvillohet në Durrës.

Pasditen e 30 dhjetorit u hap Unaza e Madhe, projekti më i madh infrastrukturor në historinë e Tiranës. Kryeministri Rama tha se do të çlirojë trafikun dhe e vuri theksin te impakti i rëndësishëm në ekonomi duke rritur vlerën e pronës.

Më 22 nëntor, në Ditën e Alfabetit, studiues të mbledhur në Tiranë publikuan Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe, me dy herë e gjysmë më shumë fjalë se i mëparshmi. Përveçse nga Shqipëria, punuan dhjetëra gjuhëtarë e bashkëpunëtorë edhe nga Kosova, Maqedonia e Veriut e Italia.

Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë u mbajt Panairi i 27-të i Librit. Si autori më i mirë për vitin 2024 u shpall Enkel Demi, me romanin “I rënë nga qielli”.

Në Eurovision-in e këtij viti në Bazel të Zvicrës, Shqipëria do të përfaqësohet nga Shkodra Elektronike me këngën “Zjerm”.

Parashqevi Simaku ka qenë ndër emrat më të lakuar të ditëve të fundit në Shqipëri, Kosovë e mes shqiptarëve të Shteteve të Bashkuara, vendit ku jeton prej mbi 30 vitesh. E shkëputur për një kohë të gjatë nga skena, ikona e muzikës shqiptare u gjet dhe u ndihmua nga biznesmeni Elton Ilirjani pas një videoje të transmetuar në një televizion amerikan ku shfaqej duke pranuar ndihma si person në nevojë. Këngëtarja e famshme e viteve ‘80 u bë pjesë e urimit të fundvitit të Top Media-s me këngën “E duam lumturinë”, me të cilën fitoi Festivalin e 27-të të Këngës në RTSH, në vitin 1988.

Rajoni

Për qytetarët e Kosovës, dita e parë e vitit 2024 shënoi edhe ditën e parë të lirisë së udhëtimit pa viza në zonën Shengen. Procesi i nisur në vitin 2016, mori fund më 1 janar.

Më 4 janar, Kosova lejoi lëvizjen e makinave me targa të Serbisë nëpër territorin e saj. BE-ja përshëndeti hapin.

Nga 1 shkurti 2024, euro u bë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para në Kosovë. Serbia hodhi akuza se me ndalimin e dinarit serb, “Prishtina synon spastrimin etnik të serbëve nga Kosova”.

Kosova numëron rreth 1 milion e 600 mijë banorë, një rënie krahasuar me regjistrimin e 2011-ës kur ishin afro 1 milion e 740 mijë. Pjesa dërrmuese e popullsisë së veriut me shumicë serbe, bojkotoi regjistrimin.

Presidentja Vjosa Osmani nuk e fshehu zhgënjimin nga disa vende të BE-së lidhur me mungesën e hapave për t’i hequr Kosovës masat ndëshkuese nga mosbashkërendimi i veprimeve të qeverisë në veri.

Në të fundit bisedime për 2024-ën mes Kosovës e Serbisë, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, kryenegociatorët Bislimi e Petkoviç arritën pajtim lidhur me zbatimin e deklaratës mbi personat e zhdukur. Për 1 mijë e 600 vetë ende nuk dihet gjë.

Më 11 shtator, në Kosovë u ngrit aktakuzë ndaj 45 personave për sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë dhe që i mori jetën efektivit Afrim Bunjaku. Mes të akuzuarve edhe ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç, i cili nuk i është dorëzuar autoriteteve në Kosovë.

Gjatë 2024-ës, Prishtina zyrtare mbylli disa komuna paralele të Serbisë në Kosovë, që i cilësoi “të paligjshme”.

Në prill dështoi votimi nëse duhen shkarkuar kryetarët shqiptarë të 4 komunave të veriut të Kosovës me shumicë serbe: Leposaviç, Mitrovicë e Veriut, Zveçan e Zubin Potok. Shkak u bë pjesëmarrja tepër e ulët. Nga mbi 46 mijë persona me të drejtë vote, votuan 253.

Para takimit të radhës në kuadër të procesit të Berlinit, qeveria e Kosovës hoqi ndalesën e importit të mallrave nga Serbia.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës miratoi raportin për anëtarësimin e Kosovës në këtë këshill. Por ende nuk ka një vendim përfundimtar pasi vendit i duhen votat e dy të tretave të shteteve anëtare.

Ndërsa presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump vendosi që Richard Grenell të jetë i dërguari i tij për misione ndërkombëtare të posaçme, një burim i tha agjencisë Reuters se do të fokusohet edhe te tensionet në Ballkan.

Nëntori u mbyll me disa shpërthime në veriun e Kosovës me shumicë serbe dhe që kulmuan me të datës 29 në Zubin Potok, me sulmin në kanalin e furnizimit me ujë nga liqeni i Ujmanit. Prishtina e quajti “kriminal” e “terrorist” dhe akuzoi Serbinë që i hodhi poshtë akuzat. Ndërkombëtarët dënuan shpërthimin me eksploziv, si dhe pati arrestime.

Në javën e parë të dhjetorit, në Hagë u ngritën aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut e ish-ministrit të Drejtësisë së Kosovës, Hajredin Kuçi për pengim të drejtësisë e mosbindje të gjykatës.

Ish-presidenti Thaçi nuk u deklarua lidhur me akuzën e pengimit të drejtësisë, por apeloi për respektim të Kushtetutës e ligjeve të Kosovës në proceset në Gjykatën e Posaçme për Krime Lufte, në Hagë.

Më 16 dhjetor, Albin Kurti nuk u paraqit në Prokurorinë e Posaçme të Kosovës për të dëshmuar mbi një rast të paspecifikuar, por që lidhet me një vepër penale të parashikuar në nenin 414 e që ka të bëjë me “Keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në dhjetor, u raportua se 28 subjekte politike u regjistruan për të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit të këtij viti në Kosovë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkoi që autoritetet të nisin verifikimet e kandidatëve.

Më 29 janar, Talat Xhaferi mori detyrën e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut. Qeveria teknike e kryesuar prej tij u ngarkua me përgatitjen dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve presidenciale të 24 prillit e atyre politike të 8 majit, si dhe balotazhit presidencial, po më 8 maj. Xhaferi u bë i pari kryeministër shqiptar i Maqedonisë së Veriut.

Partia VMRO-DPMNE ishte fituesja e madhe e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në Maqedoninë e Veriut. Kryetare e shtetit u zgjodh Gordana Siljanovska Davkova, e cila gjatë betimit përdori emrin e vjetër Maqedoni dhe jo atë Kushtetues, Maqedonia e Veriut.

Më 24 qershor 2024, nisi punë qeveria e re e Maqedonisë së Veriut, nën drejtimin e kreut të VMRO-DPMNE/së, Hristjan Mickovski, i cili pavarësisht rezervave, bëri betimin nën emrin kushtetues Maqedonia e Veriut.

Pas zgjedhjeve parlamentare të 8 majit, Afrim Gashi i koalicionit VLEN u zgjodh në krye të Parlamentit të Maqedonisë së Veriut. BDI-ja e Ali Ahmetit kaloi në opozitë.

Deri në pranverë të këtij viti, pritet që Gjykata Kushtetuese në Shkup të marrë një vendim për Ligjin e Gjuhëve, që ka nxitur pakënaqësi te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.

Më 18 dhjetor, ish-zv.kryeministri shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi u shpall në kërkim ndërkombëtar. Dyshohet për përfshirje në manipulim me prokurimet publike për “Lotarinë Shtetërore” dhe ndarjen e jashtëligjshme të licencave për kompanitë e lojërave të fatit e kazinotë. Më herët gjatë dhjetorit, Grubi u shpall “non grata” nga Shtetet e Bashkuara.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë protestuar shpesh, duke kërkuar që Serbia të mos vazhdojë pasivizimin e adresave të tyre, si dhe kthimin e gjykatës në komunën e Preshevës e angazhim më të madh lidhur me integrimin institucional.

Në mesin e muajit të kaluar, Serbia u akuzua nga Amnesty International se përgjon gazetarët, opozitën e ata që i konsideron kundërshtarë.

Më 30 dhjetor, Prokurori Publik i Serbisë, akuzoi 13 persona, mes tyre një ish-ministër për shembjen e një strehe betoni në një stacion hekurudhor në Novi Sad. Tragjedia e 1 nëntorit me 15 viktima, nxiti protesta masive kundër presidentit Vuçiç. Nëse shpallen fajtorë, të akuzuarit rrezikojnë deri në 30 vjet burg.

Pronësia ruse e industrisë serbe të naftës, presidenti Vuçiç paralajmëroi sanksione nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania. Subjekt i sanksioneve, kompania është e vetmja furnizuese e Serbisë me gaz nga Rusia.

Në korrik, Shtetet e Bashkuara nuk e fshehën shqetësimin lidhur me përfshirjen e partive pro-ruse në qeverinë e re të Malit të Zi. Sipas opozitës, janë struktura me politika anti-NATO, kundër sanksioneve ndaj Rusisë e që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës.

Më 23 maj, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi rezolutën që përcakton 11 korrikun si “Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë”.

Komitetit të Trashëgimisë Botërore që mblidhet këtë vit, një mision i UNESCO-s i rekomandoi përfshirjen e Liqenit të Ohrit në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik.

2024-a shënoi dëmet më të mëdha të dekadës së fundit nga zjarret në pyje në vendin tonë e në Kosovë, respektivisht duke djegur rreth 47 mijë e mbi 12 mijë ha.

Bota

Sa i përket zhvillimeve nga bota, viti 2024 nuk solli ndryshime nga 2023-shi. Konfliktet në Ukrainë e në Lindjen e Mesme nuk morën zgjidhje e vazhdojnë.

Rusia nuk është ndalur e ka intensifikuar sulmet si ato ndaj infrastrukturës ukrainase që në nëntor lanë 1 milion persona pa energji elektrike. Në dhjetor, goditjeve të Moskës nuk iu shpëtuan as Ambasada e Shqipërisë e të tjera seli diplomatike në Kiev. Tirana zyrtare dënoi sulmin. Me këto zhvillime, paqja duket ende e largët.

Më 16 shkurt 2024 u mësua lajmi i vdekjes në një burg rus i disidentit Aleksej Navalny, kundërshtar i njohur i presidentit Vladimir Putin, i cili në mars u rizgjodh në krye të shtetit që drejton prej 25 vitesh duke shtypur opozitën politike. Për Moskën, vdekja e 47 vjeçarit ishte pasojë e komplikimeve të sëmundjeve nga të cilat vuante.

Më 22 mars, Moska përjetoi një makth kur persona të armatosur hynë në një sallë koncertesh dhe vranë 145 vetë e plagosën 551. Forcat ruse të sigurisë kapën 4 terroristët, shtetas taxhikë që tentuan arratisjen, por u ndaluan 140 km larg kufirit me Ukrainën.  Përgjegjësinë e mori ISIS-K ndërsa Ukraina u distancua, edhe pse u akuzua nga Putin.

Sa i përket konflikteve, 7 tetori 2024 shënoi 1-vjetorin e sulmit të Hamasit palestinez në jugun e Izraelit dhe që çoi në një luftë të pandalshme. Nga ofensiva izraelite, në Gaza numërohen mbi 45 mijë viktima.

Për Izraelin nuk është vetëm Gaza. Shteti hebraik luftoi edhe me grupin pro-iranian Hezbollah në Liban, me të cilin pas disa muajsh sulmesh që çuan në vrasjen e drejtuesve më të lartë të tij, më 27 nëntor u arrit armëpushim.

Në vitin që lamë pas, tensionet Izrael-Iran ishin të forta. Më 13 prill, Republika Islamike sulmoi territorin izraelit me mbi 300 raketa e dronë, por pa shkaktuar shumë dëme.

Më tej do të kalonin disa muaj dhe më 1 tetor, Teherani do të hidhte të tjera raketa drejt Izraelit, si hakmarrje për vrasjen e disa eksponentëve të lartë të të ashtuquajturit “Aksi i Rezistencës” ku bëjnë pjesë edhe Hamasi e Hezbollahu. Nuk pati viktima dhe ushtria izraelite pranoi se një pjesë e raketave ra në disa prej bazave.

Në fund të nëntorit 2024, në Siri rishpërtheu lufta. Fillimisht, rebelët xhihadistë hynë në Aleppo e përpara se të shkonin në kryeqytetin Damask, morën kontrollin e Hamas e të Homsit.

Më 7 dhjetor, regjimi i Bashar al-Assad/it u rrëzua dhe presidenti siran u arratis. Mohammed al-Bashir u emërua kryeministër në detyrë i qeverisë së tranzicionit, me afat tre mujor, deri në mars të këtij viti.

8 dhjetori 2024 shënoi një zhvillim historik për Lartësitë e Golanit. Forcat tokësore izraelite kaluan zonën e demilitarizuar që gjendet në kufirin Izrael-Siri dhe hynë në vendin fqinj për të parën herë në 50 vjet. Dislokimi ndodhi teksa rebelët xhihadistë përparonin në territorin sirian. Kryeministri Netanyahu tha qartë se Golani izraelit i përket përjetësisht Izraelit.

Fitorja e Donald Trump-it në zgjedhjet presidenciale amerikane të 5 nëntorit bëri që këtë muaj, republikani të rikthehet në krye të Shtëpisë së Bardhë. Ai fitoi bindshëm ndaj rivales demokrate Kamala Harris.

Për këtë mandat të dytë, Trump, i cili më 13 korrik i shpëtoi me një plagë të lehtë përpjekjes së një 20 vjeçari për ta vrarë në Pensilvani ka premtuar një periudhë të artë në SHBA dhe se do të ndalë konfliktet.

Donald Trump do të pasojë demokratin Joe Biden, i cili u përball me zgjedhje të vështira më 2024-ën. I tillë ishte vendimi i 21 korrikut për t’u tërhequr nga gara presidenciale, siç tha “në interes të kombit e të partisë”. 81 vjeçari ia kaloi stafetën zv.presidentes Kamala Harris, por pa sukses për demokratët.

Donald Trump nuk do t’i shpëtojë pagesës së 5 milion dollarëve si dëmshpërblim ndaj një autoreje. Në fund të dhjetorit, Gjykata federale e Apelit mbajti në fuqi vendimin e jurisë në padinë civile se Trump kishte abuzuar seksualisht me E.Jean Carroll-in, në mes të viteve ‘90.

Në muajt e fundit si president, Biden është kritikuar për vendime si dhënia e dritës jeshile Ukrainës në përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi në territorin rus, për qëllime mbrojtjeje.

Po ashtu, Biden i siguroi faljen presidenciale djalit të tij Hunter, i shpallur fajtor për evazion fiskal e posedim të paligjshëm të një arme zjarri. Ai pati thënë se nuk do të ndërhynte, por ndryshoi për faktin se sipas presidentit në ikje, Hunter u trajtua ndryshe pikërisht se ishte djali i tij.

Donald Trump nuk ishte i vetmi që rrezikoi jetën gjatë 2024-ës. Më 15 maj, një atentat goditi në zemër të Europës. Kryeministri sllovak Robert Fico u plagos me armë zjarri dhe në gjendje të rëndë u dërgua me helikopter në spital. Fico mbijetoi ndërsa autoritetet arrestuan agresorin, kundërshtar i politikave të qeverisë.

2024-ta ishte vit procesesh zgjedhore. Në qershor u mbajtën ato për Parlamentin Europian. Grupi i Partisë Popullore i qendrës së djathtë doli i pari kur qytetarët e 27 vendeve të BE-së me të drejtë vote bënë zgjedhjen e tyre.  Më 27 nëntor, PE-ja miratoi përbërjen e Komisionit të ri Europian, sërish nën drejtimin e Ursula von der Leyen-it.

Në muajin korrik, brenda pak ditëve, u zhvilluan zgjedhje të rëndësishme në Europë. Më 4 korrik, u votua në Mbretërinë e Bashkuar ku fituan laburistët që siguruan një shumicë të fortë për të qeverisur. Keir Starmer mori postin e kryeministrit.

Më 7 korrik, u zhvillua raundi i dytë i zgjedhjeve parlamentare në Francë. Fitues doli koalicioni i majtë Fronti i Ri Kombëtar, por formimi i qeverisë rezultoi i ndërlikuar.

Më tej, në fillim të dhjetorit u hap një krizë e re në Francë me rënien e qeverisë Barnier dhe emërimin e kryeministrit të ri Francois Bayrou. 73 vjeçari njihet si mbëshetës i vjetër i presidentit Macron.

Duke mbetur në Francë, më 7 dhjetor, sytë e botës u drejtuan nga ky vend për rihapjen e Notre Dame-it. Katedralja gotike, simbol i Parisit u rindërtua pas zjarrit shkatërrues të prillit 2019. Kryeministri Rama ishte mes liderëve botërorë, pjesëmarrës në ceremoninë e rihapjes.

Në muajin mars, Mbretëria e Bashkuar dhe e gjithë bota mësuan lajmin se princesha Kate ishte me kancer. Në një video, Kate shpjegoi se po i nënshtrohej kimioterapisë dhe se u diagnostikua pas një operacioni të kryer në janar 2024. Për disa muaj, bashkëshortja e William-it qëndroi larg angazhimeve publike për t’u rikthyer në qershor kur bëri të ditur se ka patur progres të mirë në kurat kundër sëmundjes.

Përpara se të jepej lajmi i sëmundjes së princeshës Kate, në muajin shkurt u njoftua se mbreti Charles III është prekur nga një formë kanceri. Pa shumë detaje, Buckingham Palace theksoi se tumori konsiderohet i trajtueshëm dhe se monarku ka nisur një cikël kurash. Ndërkaq ka vazhduar me angazhimet publike.

Nga Mbretëria e Bashkuar në Danimarkë, në një tjetër familje mbretërore. Monarkja më jetëgjatë e Europës, Margareta II vendosi të abdikojë në janar, pas 52 viteve. Mbret u shpall Frederiku X, djali i madh i 84 vjeçares.

Viti që lamë pas ishte i mirë për Julian Assange-in, bashkëthemelues i Uikileaks-it. Në qershor, Assange i mbylli telashet gjyqësore dhe u kthye në Australi. Ai pranoi fajësinë për shkeljen e ligjit amerikan për spiunazhin, çka e bëri njeri të lirë.

Më 20 dhjetor, një sulm terrorist tronditi Gjermaninë kur një mjek saudit, me leje të rregullt qëndrimi në shtetin gjerman hyri me makinë në tregun e Krishtlindjes së qytetit Magdeburg dhe vrau 5 vetë e plagosi 200 të tjerë. Kancelari Scholz premtoi të veprojë kundër atyre që siç tha “duan të mbjellin urrejtje”.

Katastrofat mjedisore nuk e kursyen vitin që sapo është mbyllur dhe që u konfirmua si më i nxehti në histori, si dhe nuk do të harrohet ajo që ndodhi në zonën e Valencias në Spanjë ku përmbytjet shkaktuan mbi 220 viktima në fillim të nëntorit.

Në nëntor, në Baku të Azerbajxhanit u mbajt konferenca për ndryshimet klimatike. Në momentin e fundit, në këtë konferencë të OKB-së u arrit një marrëveshje për një rritje të konsiderueshme të ndihmave për klimën për vendet më të varfra. Deri më 2035-ën, kryesisht shtetet e industrializuara duhet të sigurojnë 300 miliardë dollarë për të ndihmuar në përshtatjen me pasojat katastrofike të ngrohjes globale si thatësirat, stuhitë e përmbytjet.

Një gjykatë në Korenë e Jugut lëshoi urdhër-arrest për presidentin Yoon Suk Yeol. Hapi pason dyshimet për rebelim mbi shpalljen e ligjit ushtarak për pak kohë. Por, nuk pritet prangosje pa u shkarkuar më parë.

2024-a u mbyll me dy tragjedi ajrore në Kazakistan dhe Korenë e Jugut, me 217 viktima. Më 25 dhjetor, një avion pasagjerësh i Azerbajxhanit ra pranë qytetit kazak Aktau, i rrëzuar gabimisht nga mbrojtja ajrore ruse.  38 persona humbën jetën. Presidenti Putin kërkoi falje, iu shprehu ngushëllime familjeve të viktimave, si dhe iu uroi shërim të shpejtë të plagosurve.

Më 29 dhjetor, një avion shpërtheu në flakë gjatë uljes në Aeroportin Ndërkombëtar të Muanit, në Korenë e Jugut. Nga 181 persona në bord, vetëm dy mbijetuan. Autoritetet nisën hetimet rreth shkaqeve.

Në vitin që lamë pas, Nobelin për Paqen e fitoi organizata japoneze Nihon Hidankyo, e krijuar nga të mbijetuar të bombave atomike në Hiroshima e Nagasaki dhe që përpiqet të ndërtojë një botë të lirë, pa armë bërthamore.

Lamtumirat

Më 1 korrik, Ismail Kadare mbylli sytë në moshën 88 vjeçare. Për 70 vjet, gjeniu i letrave shqipe botoi krijimtarinë e tij. Më 3 korrik, Kadare u përcoll me nderime të larta nga mijëra qytetarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, si dhe personalitete shtetërore e politike nga këto vende.

Kadare krijoi në vitet më të errëta të izolimit të thellë të vendit, por studiuesit pajtohen se tejkaloi kufijtë e diktaturës, përmes veprave me vlera universale, që përfaqësonin vlerat e qytetërimit të kombit shqiptar në histori.

Më 18 shtator, një arrest kardiak i mori jetën ish-deputetit demokrat Gerti Bogdani. Babai i dy fëmijëve, bashkëshort i aktivistes Edlira Çepani, personalitet me integritet në politikën shqiptare, Bogdani u shua në moshën 44 vjeçare.

Pas një sëmundjeje të rëndë, më 17 nëntor u nda nga jeta në moshën 45 vjeçare, anëtari i Gjykatës së Lartë, Darjel Sina, i cili ka qenë edhe Komisioner Publik, i përfshirë në procesin e vetting-ut të gjyqtarëve e prokurorëve.

Profesor Sami Repishti ndërroi jetë në moshën 99 vjeçare, më 27 nëntor, në SHBA ku emigroi në vitin 1962 pasi i mbijetoi burgjeve të regjimit komunist në Shqipëri. U vlerësua për kontributin në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve.

Quincy Jones u shua më 3 nëntor në moshën 91 vjeç duke lënë një zbrazëti në botën e muzikës. Si krijues e producent, Jones ka bashkëpunuar me emra të mëdhenj si Michael Jackson, Frank Sinatra, Aretha Franklin apo Donna Summer.

Në muajin gusht ndërroi jetë Alain Delon. Aktori i famshëm i kinematografisë botërore mbylli sytë në moshën 88 vjeçare.

Hollivudi vajtoi ndarjen nga jeta të dy aktorëve të mëdhenj: Donald Sutherland, një gjigant i kinemasë e teatrit, i vlerësuar me Oscar dhe që ka marrë pjesë në mbi 180 filma e Maggie Smith, dy herë fituese e çmimit Oscar.

Në tetor u mësua lajmi i trishtë për vdekjen e parakohshme të këngëtarit britanik Liam Payne, ish-anëtar i One Direction. Këngëtari britanik humbi jetën në moshën 31 vjeçare pasi ra nga kati i tretë i një hoteli në Buenos Aires. Me grupin One Direction, u kthye në yll global.

Shannen Doherty, aktorja e serialit të famshëm televiziv të viteve ‘90 “Beverly Hills” ndërroi jetë në korrik 2024 pasi humbi betejën e gjatë me kancerin e gjirit, prej 2015-ës. Doherty ishte 53 vjeçe.

Jimmy Carter, ish-presidenti amerikan më jetëgjatë, mbylli sytë më 29 dhjetor, në moshën 100 vjecare. Fituesi i Nobelit për Paqen kishte shprehur dëshirën të jetonte aq sa të votonte Kamala Harris-in për të mundur Trump-in. Votimin e arriti, por nuk e pa të realizuar ëndrrën e tij politike. Presidenti i zgjedhur amerikan ishte mes liderëve kryesorë që vlerësuan kontributin e Carter-it në kohë sfidash të vështira.

Çfarë ndodhi më 2024-ën në disa prej skenave më të famshme e të lakmuara të botës?

Në natën e Oscar-ve në Los Anxhelos, fituesi i madh i edicionit të 96-të u shpall “Oppenheimer”, filmi i Christopher Nolan-it që siguroi plot 7 vlerësime për kategoritë më të rëndësishme. “Oppenheimer” që tregon historinë e babait të bombës së parë atomike ishte filmi që mbretëroi edhe në edicionin e 81-të të çmimeve Golden Globe për vitin e kaluar.

Duke mbetur te kinemaja, “Dhoma ngjitur” e regjisorit Pedro Almodovar fitoi Luanin e Artë në edicionin e 81-të të Festivalit të Filmit në Venecia ndërsa në Kanë, “Anora” i Sean Baker-it u vlerësua me Palmën e Artë.

Nga kinemaja në muzikë, Taylor Swift vazhdoi të ecë në rrugën e suksesit edhe vitin e kaluar. Në 66 vite histori të cmimeve Grammy, Swift u bë artistja e parë që ka fituar 4 herë për albumin më të mirë muzikor të vitit.

Ndërkaq, Nobelin për Letërsinë, për herë të parë e fitoi një koreano-jugore. Ajo është autorja Han Kang. 54 vjeçarja u vlerësua për “prozën e fuqishme në përballjen me trauma historike duke shfaqur brishtësinë njerëzore”.

Sport

Euro 2024 ishte një kampionat futbolli i paharrueshëm, i karakterizuar nga ndeshje emocionuese dhe surpriza. Spanja u shpall kampione, duke triumfuar për të katërtën herë në një Europian. Në finale mundi Anglinë 2-1.

Edhe Shqipëria u bë pjesë e Kampionatit Europian “Gjermani 2024” dhe rrugëtimin e mbylli me një barazim ndaj Kroacisë e dy humbje përballë Italisë e Spanjës.

Nedim Bajrami hyri në historinë e Europianit duke shënuar golin më të shpejtë në këtë kompeticion, 23 sekonda pas startit të takimit kundër Italisë.

2024-ta lidhet edhe me emocionet e Olimpiadës së Parisit e ku Shqipëria theu rekord historik me dy medalje bronzi në sportin e mundjes, të fituara nga mundësit Chermen Valiev e Islam Dudaev.

Edhe Kosova siguroi dy medalje olimpike në Paris, në xhudo. Distria Krasniqi fitoi medalje argjendi, Laura Fazliu, bronzi. Listën e kryesoi Amerika me 126 në total, e ndjekur nga Kina me 91.

Më 15 nëntor, lojtarët e Kosovës braktisën ndeshjen me Rumaninë në Bukuresht pasi tifozët rumunë hodhën thirrje pro Serbisë. Më 20 nëntor, UEFA njoftoi se takimin e fitoi Rumania me rezultatin zyrtar 3-0.

Sa i përket Kategorisë Superiore, Egnatia fitoi titullin e ligës, më 26 maj 2024, por nuk u ndal me kaq, duke grumbulluar tre trofe në një sezon të vetëm. Krahas Superligës, rrogozhinasit fituan edhe Kupën e Shqipërisë e po ashtu u shpallën kampionë të Superkupës së Shqipërisë kur më 26 dhjetor, fituan 2-0 ndaj Kukësit në finalen e luajtur në “Arenën Kombëtare” në Tiranë.

Në shortin e kualifikueseve të Botërorit të Futbollit “SHBA-Meksikë-Kanada 2026” që u hodh në Nion të Zvicrës, Shqipëria e gjeti veten në atë që u quajt “grup ferri” me Anglinë dhe Serbinë. Në Grupin K janë edhe Letonia e Andorra. Goglat përcaktuan edhe kundërshtarët e Kosovës në Grupin B: Zvicra, Suedia e Sllovenia.

Gara e famshme çiklistike “Giro d’Italia”, këtë vit nis nga Shqipëria, në muajin maj. Ky event sportiv ndër më të ndjekurit në botë ndiqet nga mbi 800 milion shikues përmes ekraneve, në 200 vende të botës. Kryeministri Rama veçoi faktin se lajmi është publikuar në 70 shtete, nga 700 burime informacioni.