Lancio Music

Njihuni me Sara Bajraktarin, artiste e re, e cila ka debutuar për herë të parë në “The Top List”!

E ftuar në emisionin “Lancio” me Erma Micin dhe David Anthony Prifti ka qenë Sara Bajraktari. Edhe pse ajo ka vite që punon në industrinë tonë muzikore, për shumë dëgjues mund të jetë një emër i ri. Në moshën 7-vjeçare ka dalë për herë të parë në skenë në një festival fëmijësh, “Perform Fest”, ku ka konkurruar për dy vite radhazi (2011–2012). Vitin e parë është vlerësuar me çmimin “Vokali më i mirë” për këngën “S’ka rëndësi kush do fitojë”, ndërsa vitin e dytë me këngën “Dua të këndoj”. Sara ka marrë pjesë gjithashtu në Festivalin e 50-të të Fëmijëve në Tiranë dhe në Festivalin e Fëmijëve në Shkodër. Në vitin 2016, ka qenë pjesë e spektaklit “Gjeniu i Vogël 7”, ku është shpallur finaliste.

Në shtator të vitit 2017 ka marrë pjesë në Junior Eurovision Song Contest 2017, ku ka fituar çmimin e dytë me këngën “Flas me ëndrrën”. Në vitin 2018 mori pjesë në spektaklin “The Voice Kids Albania”, ku ka arritur deri në fazën gjysmëfinale. Në nëntor të vitit 2019, është paraqitur si artiste e re në festivalin “Kënga Magjike” me këngën “Më vonë”, ndërsa në dhjetor të po atij viti ka marrë pjesë në Festivalin e 58-të në RTSH me këngën “Ajër”, ku është vlerësuar me çmimin e tretë. Në vitin 2022 është rikthyer në Kënga Magjike, këtë herë me statusin “Big Artist”, duke konkurruar me këngën “Ça m’bone”.

Së fundmi, ajo është bërë pjesë e “The Top List” me projektin titulluar “Alarm”. Kjo këngë e re, nga Olsi Bylyku, Alban Chela dhe Sara Bajraktari, kombinon refrenet ritmike me motive që ngjallin atmosferën sportive. Ekuivalente me një “alarm” në minutat vendimtare, kënga ngre tensionin e tifozëve dhe gjallërinë e tifozllëkut, duke bërë që çdo tingull të ndihet sikur je në stadium. Olsi sjell zërin e tij të fuqishëm, Alban Chela vë në pah stilin unik të muzikës së tij, ndërsa Sara Bajraktari plotëson këngën me një vokal më të ëmbël dhe melodik. Kjo përzierje sjell një energji dinamike dhe ekuilibër artistik që godet në shenjë. Si është për të që të punojë për diçka që është totalisht e saj?

Mund të them që është më e vështirë se kompeticionet, ose festivalet. Unë nuk e di pse specifikisht, por ndoshta edhe ngaqë është diçka origjinale, po del vetëm nga ti dhe nuk po bën covers të këngëve të të tjerëve.

Disa e kanë konsideruar këngën “Alarm” si një këngë që i dedikohet kombëtares shqiptare. Si lindi e gjitha?

Po, është një këngë që i dedikohet kombëtares shqiptare. Unë mora një telefonatë nga Olsi Bylyku, më tha që kishte një projekt dhe të shkoja në studio për ta provuar. E aprovova direkt. Më joshi ritmi i këngës dhe tema e këngës. Këngë dashurie dhe ndarje ka plot, kurse të tilla që i këndojnë Shqipërisë dhe stadiumit nuk ka shumë.

A e synon tregun ndërkombëtar?

Patjetër, kush nuk e dëshiron?! Shohim që të gjithë artistet e mëdha aty po synojnë, por është shumë e vështirë të çash. Unë po synoj njëherë të çaj këtu, këtu e kam synimin. Është ajo shprehja: “Guri i rëndë në tokën e vet”.