Bota

Njohja e shtetit të Palestinës u shkak për sulmin terrorist në Australi? Reagon kryeministri Anthony Albanese

Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, hodhi poshtë kategorikisht pretendimet e Benjamin Netanyahu-t se njohja e një shteti palestinez nga qeveria e tij ka kontribuar në rritjen e antisemitizmit, duke sqaruar njëkohësisht se nuk ekziston asnjë lidhje me sulmin terrorist në plazhin Bondi të Sidneit.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje të Australian Broadcasting Corporation nëse sheh ndonjë lidhje mes njohjes së shtetit palestinez nga Australia më herët gjatë këtij viti dhe sulmit terrorist të ndodhur një ditë më parë, Albanese u shpreh prerazi: “Jo, nuk e shoh”.

Ai hodhi poshtë gjithashtu pretendimin e Benjamin Netanyahu-t se ky vendim “hedh benzinë në zjarrin e antisemitizmit”.

Kryeministri australian shtoi se “në shumicën dërrmuese të tyre, vendet e botës e pranojnë se zgjidhja me dy shtete është rruga përpara në Lindjen e Mesme”, duke theksuar kështu dimensionin ndërkombëtar të qëndrimit të Australisë ndaj çështjes palestineze.

Netanyahu kishte deklaruar se në një letër që i kishte dërguar në gusht homologut të tij australian, e kishte ftuar atë të “zëvendësonte dobësinë me veprim dhe qetësimin me vendosmëri”, duke pretenduar se Albanese “zëvendësoi dobësinë me më shumë dobësi dhe qetësimin me edhe më shumë qetësim”.

I pyetur për këto deklarata, Albanese tha se roli i tij në këtë moment “është të bashkojë kombin dhe të promovojë unitetin”, duke theksuar se terroristët synojnë “të na përçajnë si komb, të vënë një australian kundër tjetrit”.

Ai vuri theks të veçantë te mbështetja për komunitetin hebre në vend, duke deklaruar: “Duhet të përqafojmë anëtarët e komunitetit hebre, të cilët po kalojnë një periudhë jashtëzakonisht të vështirë, jo vetëm ata që kanë humbur të afërm dhe miq, por çdo anëtar të komunitetit hebre në Australi”.

Siç shtoi ai, “24 orët e fundit kanë qenë jashtëzakonisht traumatike” dhe theksoi se detyra e tij është “të ofrojë mbështetje për komunitetin hebre dhe të bëjë të qartë se australianët, në shumicën e tyre dërrmuese, qëndrojnë përkrah tij në këtë moment të vështirë”.