Bota

Nuk ka përballje Putin-Zelensky deri sa të bihet dakord për axhendën, ministri i jashtëm rus: Takohemi kur…

Takimi mes Vladimir Putin dhe Zelenskyt nuk ka asnjë shenjë në horizont se do të ndodhë. Këtë e bën të ditur ministri i jashtëm rus, Lavrov i cili megjithatë  këmbëngul se presidenti rus mbetet i gatshëm të takohet kur të ketë një agjendë të gatshme për takimin e tyre.

Duke folur për programin e NBC TV “Meet the Press with Kristen Welker”, Lavrov gjithashtu tha se Rusia kishte pranuar të ishte fleksibile mbi një numër pikash të ngritura nga presidenti amerikan Donald Trump, raportoi Reuters.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se sjellja e Rusisë pas samitit SHBA-Rusi javën e kaluar dhe bisedimeve të nivelit të lartë në Uashington me liderët evropianë është një sinjal se Moska nuk ka ndërmend të negociojë një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

“Tani, sinjalet që po vijnë nga Rusia janë thjesht skandaloze”, tha Zelensky mbrëmjen e 21 gushtit, pasi Rusia përshkallëzoi sulmet ajrore. “Ata po përpiqen t’i shmangen mbajtjes së një takimi. Ata nuk duan ta përfundojnë këtë luftë”.

Forcat Ajrore Ukrainase raportuan të enjten se Rusia lëshoi 574 dronë dhe 40 raketa në disa rajone, duke shkaktuar viktima në mesin e civilëve dhe duke dëmtuar rëndë zonat e banuara dhe infrastrukturën. Sipas autoriteteve ukrainase, sulmi ajror i Rusisë, më i madhi për këtë muaj, ndodhi disa ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump priti Zelenskyn dhe udhëheqësit evropianë në përpjekje për të shtyrë përpara negociatat e paqes.