Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë ka përditësuar rezultatet e votave me postë të numëruara deri më tani në orët e para të ditës së sotme, të vlefshme për zgjedhjet e rregullta parlamentare që u mbajtën më 9 shkurt. Me mbi 66% të vendvotimeve të procesuara, Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 52.72, e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, me 29.8%.
Sipas rezultateve të publikuara online nga autoritetet zgjedhore, në vendin e tretë gjendet Partia Demokratike e Kosovës me 7.98 ndërsa të katërtin vend e zë koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, me 3.32%.
Numërimi i votave me postë nisi më 28 shkurt dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve raportoi se pranoi më shumë se 63 mijë pako me fletëvotime. Për votimet e 9 shkurtit, përveç votimit me postë, qytetarët jashtë vendit, për herë të parë kanë mundur të votojnë edhe fizikisht në disa përfaqësi diplomatike.
Numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike përfundoi dhe sipas KQZ-së, LVV-ja mori më shumë vota, përkatësisht 12 mijë e 261 apo 80.71%. Pas votave me postë do të vazhdojë numërimi i atyre me kusht dhe i personave me nevoja të veçanta, duke mundësuar certifikimin e rezultateve dhe hapjen e rrugës për formimin e institucioneve të reja.
Përveç votave nga përfaqësitë diplomatike, fillimisht, në Kosovë përfundoi numërimi i votave të rregullta. Sipas rezultateve paraprake të votimit të rregullt, Lëvizja Vetëvendosje është e para me 40.80% të votave të fituara, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës me 22.05.
E treta doli Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.64% të votave, pasuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.46. Këto shifra tregojnë se asnjëra prej partive nuk ka mjaftueshëm vota për të formuar shumicën në Kuvendin me 120 deputetë të Kosovës. Nga partitë e komunitetit serb, Lista Serbe e përkrahur nga Beogradi zyrtar mori numrin më të lartë të votave, përkatësisht 4.62%.