Rajoni

Numërohen mbi 90% të votave me postë, Vetëvendosje mbetet e para!

Me mbi 90% të votave të numëruara me postë, nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje kryeson me më shumë se 51 apo me më tepër se 28 mijë vota, siç bën të ditur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Pas saj vijnë Lidhja Demokratike me mbi 30%, Partia Demokratike e Kosovës me më shumë se 9, si dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Nisma, me më tepër se 3%.

Numërimi i votave me postë nisi më 28 shkurt, pasi KQZ-ja njoftoi se ka pranuar më shumë se 63 mijë pako me fletëvotime. Ky proces pritet të përfundojë gjatë ditës, para se të nisë edhe numërimi i votave me kusht dhe i personave me aftësi të kufizuara. Me rezultatet aktuale që përfshijnë edhe votat në vendvotimet në Kosovë, ato në përfaqësitë diplomatike e me postë, asnjëra prej partive nuk ka siguruar numër të mjaftueshëm për të qeverisur e vetme.

Për të pasur shumicën, duhen të paktën 61 deputetë në Kuvendin me 120 vende të Kosovës. Si forcë e parë politike, Vetëvendosje ka aktualisht vetëm 48. Drejtuesi i saj, kryeministri Albin Kurti është zotuar ta formojë qeverinë në mënyrë të pavarur. Partitë që aktualisht janë në opozitë, përveç Nismës, e kanë përjashtuar mundësinë e koalicionit me të.

Procesi i numërimit të votave është në javën e katërt. KQZ-ja pritet të bëjë certifikimin e rezultateve në mes të këtij muaji. Analistët thonë se ka disa opsione të mundshme për formimin e qeverisë së re.