Aktualitet Tech

Numri i pagesave me e-banking u rrit me 23% vitin e kaluar!

Përdorimi i pagesave bankare nëpërmjet internetit, u rrit për të pesëmbëdhjetin vit radhazi më 2025-ën. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, numri total i veprimeve bankare në distancë arriti në 11.53 milion, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë.

Krahasuar me një vit më parë, shqiptarët e rritën numrin e veprimeve bankare në distancë me 23% ose me 2.2 milion veprime më shumë. Që nga 2020-a, numri i transaksioneve të home banking është rritur me pothuajse 180%.

Ndërsa vlera totale e veprimeve të banking-ut në distancë për 2025-ën arriti në 2.73 trilion lekë, në rritje me 14% krahasuar me një vit më parë.

Shërbimi i internet banking ofrohet nga të gjitha bankat tregtare në Shqipëri dhe numri i përdoruesve të tij po rritet me ritme të shpejta.

Në fund të vitit 2025, numri i llogarive bankare të lidhura me internetin arriti në 1.95 milion, në rritje vjetore me 44%. Vlerësohet se tashmë 49% e llogarive bankare aktive janë të aksesueshme nga interneti, nga 39% që ishte ky tregues në fund të 2024-ës e më pak se 20% më 2020-ën.

Afërsisht, 90% e numrit të llogarive bankare të rezidentëve të lidhura me internetin i takojnë individëve. Numri i llogarive të lidhura me internetin për individët u rrit me 45%, ndërsa për llogaritë e bizneseve rritja ishte 39% më shumë, krahasuar me një vit më parë.

Për çdo individ apo subjekt që zotëron një llogari bankare, pjesa dërrmuese e pagesave dhe transfertave mund të kryhet nëpërmjet internetit, pa qenë nevoja për të shkuar fizikisht në bankë.

Përdorimi i pagesave nga kanalet elektronike është nxitur edhe nga lehtësitë tarifore të vendosura nga Banka e Shqipërisë, me komisione më të ulëta për transfertat e kryera nëpërmjet kanaleve elektronike, krahasuar me ato që kryhen në degë.

Në rregulloren e re “Për funksionimin e sistemit të klerimit të pagesave me vlerë të vogël – AECH”, miratuar në shtator të vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë miratoi ndryshime që shtojnë edhe më shumë incentivat për kanalet elektronike të pagesave.

Për pagesat në nisje, të iniciuara në formë elektronike, me vlerë më të vogël ose të barabartë me 40 mijë lekë, bankat nuk duhet të aplikojnë komisione. Më parë, vlera maksimale e përjashtuar nga komisionet për transfertat e kryera në formë elektronike (nëpërmjet shërbimeve të internet banking ose mobile banking) ishte 20 mijë lekë.

Për transfertat mbi 40 mijë lekë, deri në vlerën e 10 milion lekëve, që kryhen në rrugë elektronike komisioni maksimal i lejuar parashikohet në nivelin 0.005% të vlerës së transferuar. Për shembull, një transfertë e kryera me e-banking me vlerë 1 milion lekë nuk mund të ngarkohet nga bankat dhe institucionet financiare me një komision më të lartë se 50 lekë.

Ndërsa, për transfertat në formë letër (që kryhen në degë) me vlerë deri në 10 milion lekë, komisioni maksimal i lejuar do të jetë 0.01%.

Institucioneve të pagesave u lejohet vendosja e një komisioni minimal të shprehur në vlerë absolute, me qëllim mbulimin e kostove për ofrimin e shërbimit. Kjo vlerë mund të jetë deri në 500 lekë për transfertat në degë dhe 50 lekë për transfertat elektronike (vetëm për ato transferta elektronike që kalojnë vlerën e 40 mijë lekëve).

Në total, komisionet për transfertat kombëtare deri në 10 milion lekë nuk mund të kalojnë në asnjë rast vlerën e 1 mijë lekëve.

Përveç uljes së komisioneve, kuadri i ri rregullator u vendos bankave edhe detyrimin që transfertat kombëtare të finalizohen brenda ditës së punës. Me rregulloren e mëparshme, kryerja e transfertave kombëtare mes bankave të ndryshme kishte afat një ditë pune./ Monitor