Aktualitet

Po transportonte 5 emigrantë ilegalë, arrestohet 35-vjeçarja nga Rrogozhina!

Dyshohet se transportonte emigrantë që synonin të kalonin ilegalisht drejt vendeve të Bashkimit Europian, një 35-vjeçare u arrestua në kuadër të operacionit policor të koduar “Relay”.

Sipas strukturave të Policisë së Shtetit, operacioni u finalizua nga specialistët e Hetimit të Trafiqeve, në bashkëpunim me DVP Lezhë, pas marrjes së informacioneve për aktivitetin e paligjshëm.

Në pranga u vu shtetasja me iniciale E.Ç., 35 vjeçe, banuese në Rrogozhinë, e cila u kap në flagrancë pranë Lezhës, teksa transportonte 5 emigrantë që i kishte marrë në Vorë.

Nga hetimet dyshohet se ajo u kishte marrë emigrantëve nga 2 mijë e 500 euro secilit, me premtimin se do të mundësonte kalimin e tyre ilegal drejt Italisë fqinje. Raportohet se gjatë aksionit u sekuestrua edhe një automjet tip BMW e që përdorej për transportimin e tyre.

Ndërkaq, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.