Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, James O’Brien, iu bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë t’i normalizojnë marrëdhëniet e fqinjësisë, për hir të integrimeve europiane. Në një intervistë për tabloidin serb, Kurir, të publikuar sot, O’Brien tha se të dyja vendet kanë nevojë ta bëjnë këtë.
Mendoj se Kosova dhe Serbia duhet ta kuptojnë se ka rrugë normale europiane për këtë çështje. Mendoj se tani, me një Bashkim Europian më aktiv në rajon, të dyja vendet e kuptojnë se ka gjëra që secila prej tyre duhet t’i bëjë, që do ta bëjnë më të lehtë zgjidhjen çështjeve. Por ato duhet ecin përpara dhe t’i bëjnë këto gjëra për hir të rrugës së tyre europiane, jo për shkak të disa negociatave të veçanta.
Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog për normalizim e marrëdhënieve që nga viti 2011, ndërsa më 2023-ën arritën Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksin për zbatimin e saj. Megjithatë, ende nuk kanë filluar ta zbatojnë këtë akord sipas BE-së.
Dialogu mes tyre, i ndërmjetësuar nga BE-ja, mbështetet edhe nga Shtetet e Bashkuara. O’Brien u pyet edhe nëse mund të jetojnë serbët e Kosovës nën udhëheqjen e kryeministrit Albin Kurti, pas një sërë hapash që qeveria e tij ndërmori gjatë vitit 2024 për të mbyllur institucionet paralele serbe në veriun e banuar me shumicë serbe e për të shtrirë autoritetin atje.
Mendoj se po. Praktikisht, çdo vend europian ka pasur nevojë të merret me një çështje të tillë, një komunitet që ndihet i lidhur me një vend fqinj për shkak të lidhjeve kombëtare, fetare apo historike.
Po ashtu, Kosova ka ndaluar përdorimin e dinarit serb, gjë që vështirëson pagesën e pagave për pjesëtarët e komunitetit serb që marrin rroga nga buxheti i Serbisë. Në anën tjetër, Serbia nuk pranon të mbyllë institucionet e saj në territorin e Kosovës dhe shumicën i ka zhvendosur pranë pikave kufitare nga ana serbe.
Kosovës i kërkohet edhe themelimi i një Asociacioni të komunave me shumicë serbe, por Prishtina druhet se mund të ndikojë në funksionimin e shtetit. O’Brien bëri thirrje që serbëve në Kosovë, t’iu jepet hapësirë të thonë fjalën e tyre, pa u ndikuar apo detyruar nga të tjerët.
Ne duam të shohim që zëri i serbëve, në veçanti në veri, por edhe në të gjithë Kosovën, të dëgjohet, jo që ata të detyrohen të flasin në një mënyrë apo tjetër siç u leverdis njerëzve në çdo kryeqytet. Ata duhet t’i kenë të drejtat si çdo qytetar tjetër në një vend demokratik.
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe ekipi i tij kanë bërë punë të suksesshme falë të cilës ka zgjidhje për jetën e serbëve në Kosovë me respekt për ta, si një komunitet, në mënyrë që të mund të jetojnë normalisht, ashtu si për shembull gjermanët në Itali ose holandezët në Belgjikë.