Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH vuri në dukje se ofensiva tokësore e Izraelit në qendër të Gazës ka penguar përpjekjet e saj për të vazhduar punën, meqë i janë goditur objektet. Kjo agjenci e Kombeve të Bashkuara i ka akuzuar forcat izraelite për sulm në një godinë ku është strehuar stafi i saj dhe familjet e tyre në qytetin Deir al-Balah, si dhe për keqtrajtim të personave që ishin në ato hapësira. Ushtria izraelite ende nuk i ka komentuar këto pretendime.
Mijëra palestinezë janë detyruar të shpërngulen si rezultat i operacionit të parë të madh të ushtrisë izraelite në Deir al-Balah që prej nisjes së luftës së nxitur nga Hamasi, organizatë e shpallur “terroriste” nga Shtetet e Bashkuara dhe të tjera fuqi, 21 muaj më parë. OKB-ja u shpreh se po pranon informacione për persona të kequshqyer që po paraqiten në klinika e spitale në gjendje shumë të rënduar.
Të dielën, ushtria izraelite urdhëroi evakuimin e menjëhershëm të 6 blloqeve në jug të Deir al-Balahut, me paralajmërimin se do të operojë “me forcë të madhe për të shkatërruar kapacitetet e armikut dhe infrastrukturën terroriste”. Vlerësohet se 50.000-80.000 njerëz që kanë jetuar në zonat e prekura, janë urdhëruar që të shkojnë në jug të Gazës.
Zyra e OKB-së për çështje humanitare ka thënë se stafi i OKB-së do të vazhdojë të qëndrojë në Deir al-Balah, pavarësisht urdhrit për evakuim. Sipas kësaj organizate, rreth 87% e Gazës është e përfshirë nga urdhrat izraelite për evakuime, duke detyruar 2.1 milion njerëz që të ngjeshen në një territor prej 46 kilometrash katrorë ku mungojnë edhe gjërat më elementare.
Burime izraelite thanë se prania e mundshme e pengjeve izraelite të mbajtur nga Hamasi është arsyeja pse Deir al-Balah nuk është shënjestruar deri më tani nga ndonjë ofensivë tokësore. Besohet se të paktën 20 deri në 50 pengje janë gjallë. Familjet e pengjeve janë shprehur të shqetësuara, duke thënë se ofensiva mund t’i rrezikojë.
Izraeli e ka nisur fushatën ushtarake në Gazë në përgjigje të sulmit të kryer nga Hamasi në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, si pasojë e të cilit u vranë 1.200 njerëz dhe u morën peng rreth 240 të tjerë. Sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, mbi 59 mijë palestinezë janë vrarë në Gazë që nga ajo kohë.