Federata Shqiptare e Futbollit është njohur me vendimin e Odise Roshit për t’u tërhequr nga Kombëtarja shqiptare, pas një karriere të gjatë dhe të suksesshme me ngjyrat kuqezi. Roshi ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për ekipin Kombëtar, duke dhënë gjithmonë maksimumin e tij në arritjet historike të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Gjatë gjithë karrierës së tij me kuqezinjtë, Odiese Roshi i njohur edhe me nofkën “Raketa” nga tifozët, numëron 71 ndeshje dhe 5 gola, ndërsa ishte pjesë e skuadrës në kualifikimin historik në “Euro 2016” dhe pjesë e saj në finalet e Europianit.
Federata e Futbollit e falënderon Roshin për të gjithë kontributin e dhënë ndër vite me fanellën kuqezi, ku do të kujtohet gjithmonë për asistet e tij vendimtar, shpejtësinë dhe energjinë e tij në fushë. I urojmë Odise Roshit suksese të mëtejshme në karrierën e tij.

Në një tjetër zhvillim, Kombëtarja Shqiptare zhvilloi pasditen e djeshme seancën e radhës stërvitore në “Shtëpinë e Futbollit”, në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet e fundit të grupit B1 në UEFA Nations League ndaj Çekisë (16 nëntor, 20:45, “Air Albania”) dhe Ukrainës (19 nëntor, 20:45, “Air Albania”).
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën të ditur se në stërvitje ishin të pranishëm të gjithë lojtarët. Me grupin u stërvitën edhe Jon Mersinaj e Adrian Bajrami që mbërritën të fundit në grumbullim. Seanca stërvitore nisi me punën në palestër e më pas trajneri Silvinjo së bashku me ekipin zbritën në fushë për të bërë fillimisht përgatitje atletike. Tekniku kuqezi punoi edhe taktikisht me skuadrën. Kombëtarja do të mbyllë të premten përgatitjet për ndeshjen e parë ndaj Çekisë.