Pritshmëria ishte e lartë dhe shifrat duket se e konfirmojnë këtë. “Odisea”, filmi i ri i suksesshëm me regji nga regjisori 55-vjeçar britanik Christopher Nolan, debutoi me të ardhura rekord, duke arritur gati 260 milion dollarë në arkat e kinemasë globale, që në fundjavën e parë.
Ky rezultat e vendos mes hiteve më të mëdha të vitit në kinematografi dhe e ka lejuar produksionin të rikuperojë buxhetin e tij.
Sipas shifrave të publikuara, “Odisea” ka fituar 259 milion dollarë në nivel global. Nga këto, 120 milion erdhën nga Amerika e Veriut, ndërsa 139 milionë dollarët e mbetur, nga 73 tregjet e tjera ndërkombëtare ku filmi u shfaq njëkohësisht.
Iso-polifonia shqiptare u bë pjesë e kolonës zanore. Regjistrimet u realizuan në Vlorë nga mjeshtri i fyellit dhe culës dyjare, Vendim Kapaj, në praninë e kompozitorit Ludwig Göransson.
Kapaj tregoi se mbetën të mahnitur nga tingujt e muzikës tradicionale shqiptare dhe se ishte një përvojë e veçantë të kontribuonte në një produksion hollivudian.
Ai tha se ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme të punonte me një ekip të një produksioni hollivudian që vlerësonte kaq shumë trashëgiminë muzikore shqiptare.
Xhirimet u zhvilluan në gjashtë vende, përfshirë Italinë, Greqinë, Marokun, Islandën dhe Skocinë, me vende spektakolare të zgjedhura për të rikrijuar udhëtimin e Odisesë, të rrëfyer në poemën epike që i atribuohet Homerit.
Një kast aktorësh i mbushur me emra të mëdhenj të Hollivudit kontribuoi në emocionin e madh që rrethon filmin.
Matt Damon, 55 vjeç, luan përkrah Anne Hathaway, 43, Tom Holland, 30, Zendaya, 29 vjeçe, Charlize Theron, 50, Robert Pattinson, 40 dhe Lupita Nyong’o, 43 vjeçe.
Prania e aktorëve nga breza të ndryshëm, e kombinuar me firmën e njërit prej regjisorëve më të vlerësuar të dekadave të fundit, nxiti pritshmëritë e publikut, shumë kohë para publikimit të tij.
Rezultatet e fundjavës duket se konfirmojnë se rreziku i Universal u shpërblye:
“Odisea” është një nga fenomenet kinematografike të verës dhe tani synon të vazhdojë suksesin e tij në javët në vijim.