Një operacion i gjerë kundër trafikut dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike është duke u zhvilluar nga Policia e Tiranës, ku me urdhër të prokurorisë janë lëshuar 30 urdhër-arreste.
Aksioni synon goditjen e disa grupeve kriminale që dyshohet se prej kohësh operonin në zona të ndryshme të kryeqytetit, duke u marrë me shitjen dhe shpërndarjen e drogave të forta.
Burime bëjnë me dije se hetimet kanë nisur disa muaj më parë nga sektori i Antidrogës në Tiranë dhe janë mbështetur edhe në operacione të mëparshme, ku përmes zbërthimit të komunikimeve janë siguruar prova që implikojnë personat e dyshuar.
Gjatë hetimeve janë përdorur metoda proaktive, përfshirë blerje të simuluara, me qëllim dokumentimin e aktivitetit kriminal dhe identifikimin e anëtarëve të rrjeteve të shpërndarjes.
Deri më tani nuk bëhet i ditur numri i personave të arrestuar, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje mbi sasitë e lëndëve narkotike të sekuestruara gjatë operacionit, i cili vijon në terren.