Sot Izraeli shpalli një “pauzë taktike” në luftime në disa pjesë të Gazës dhe tha se do ta lejonte OKB-në dhe agjencitë e ndihmës të hapnin rrugë tokësore të sigurta për ta trajtuar krizën e thelluar të urisë. Ushtria njoftoi se ka filluar hedhjen nga ajri të ushqimit në territor dhe refuzoi akuzat se po përdor urinë si armë kundër civilëve palestinezë.
Në një deklaratë, nënvizoi se vendimet i ka koordinuar me OKB-në dhe organizatat ndërkombëtare për të “rritur shkallën e ndihmës humanitare që hyn në Rripin e Gazës”. Nuk pati ndonjë reagim zyrtar të menjëhershëm nga OKB-ja ose organizatat jofitimprurëse që veprojnë në Gazë. Burime humanitare që mbeten skeptike thanë se po prisnin të shihnin rezultatet në terren.
Pauza në luftime do të kufizohet në zona ku ushtria thotë se trupat izraelite nuk po operojnë: Al-Mawasi, Deir el-Balah dhe qyteti i Gazës. Ndërkaq do të zgjasë çdo ditë nga ora 10:00 e mëngjesit deri më 20:00 të mbrëmjes. Rrugë të sigurta të caktuara janë hapur në të gjithë Gazën për të mundësuar kalimin e autokolonave të OKB-së dhe organizatave humanitare që shpërndajnë ushqime e ilaçe.
Ushtria izraelite shtoi se këto operacione, bashkë me fushatën e saj të vazhdueshme kundër grupeve të armatosura palestineze, duhet të hedhin poshtë “pretendimin e rremë për uri të qëllimshme në Rripin e Gazës”. Izraeli vendosi bllokadë të plotë ndaj Gazës më 2 mars, pasi dështuan bisedimet për armëpushim. Në fund të muajit maj filloi të lejonte një sasi të vogël ndihmash të rifillonte, mes paralajmërimeve për një valë urie.
Para se Izraeli të njoftonte dërgimin nga ajri të shtatë paletave me ushqim, Emiratet e Bashkuara Arabe kishin deklaruar se do të rifillonin hedhjet ajrore të ndihmave dhe Britania e Madhe bëri të ditur se do të punonte me partnerë përfshirë Jordaninë, për t’i ndihmuar.
Vetëm dje, agjencia palestineze e mbrojtjes civile tha se mbi 50 palestinezë të tjerë ishin vrarë nga sulmet dhe të shtënat izraelite, disa ndërsa prisnin pranë qendrave të shpërndarjes së ndihmave.
Lusim Zotin dhe vëllezërit tanë arabë të punojnë më fort për të arritur një armëpushim para se të vdesim të gjithë, u shpreh banori i Gazës, Hossam Sobh, për AFP-në, teksa shtoi se pati frikë për jetën e tij ndërsa merrte një thes me miell përballë një tanku izraelit.
Situata humanitare në territorin palestinez është përkeqësuar rëndë ditët e fundit, me mbi 100 OJQ që paralajmëruan këtë javë se “uria masive” po përhapet në Gaza.