Bota

Organizonte tubime kundër maskave, humb jetën nga COVID 30-vjeçari nga Teksasi!

Si për ironi të fatit, një udhëheqës i tubimeve kundër maskave anti-COVID ka ndërruar jetë nga koronavirusi në SHBA. Bëhet fjalë për udhëheqësin 30-vjeçar nga Teksasi, Caleb Wallace, i cili u bë i famshëm për organizimin e një “Tubimi të Lirisë”, duke ftuar njerëzit e lodhur nga qeveria të kenë vetë kontrollin e jetës.

Ai gjithashtu kishte themeluar “San Angelo freedom defenders”, një grup që donte t’i jepte fund asaj që ai e quante “tirania e COVID-19”. Pas tri javësh në kujdes intensiv, 30-vjeçari nuk ia doli të mbijetojë. Wallace la pas gruan e tij shtatzënë Jessica dhe tre fëmijë.

Gruaja, e intervistuar nga mediat lokale, tha se ajo nuk ishte dakord me pikëpamjet e burrit të saj dhe se ajo mbante maskë për të mbrojtur veten dhe të tjerët nga virusi. E njëjta gjë vlen edhe për vaksinat. Gruaja ka garantuar që do të vaksinohet kundër COVID pas lindjes së fëmijës së saj dhe se edhe fëmijët e tjerë kanë marrë vaksinat e kërkuara për moshën e tyre.

Ndërkaq, rikujtojmë se Danimarka nga 10 shtatori do të jetë një vend pa asnjë masë kufizuese anti-COVID. Qeveria ka vendosur që pas dy javësh të heqë të gjitha masat kufizuese. Për ministrin e shëndetësisë, Magnus Heunicke, COVID-19 nuk është më një kërcënim kritik për shoqërinë, pasi epidemia është nën kontroll.

Qeveria e vendit tonë nga ana tjetër po negocion me kompaninë Pfizer për 500 mijë doza të tjera vaksinash, që parashikohet të vijnë brenda vitit, për të vijuar me procesin e vaksinimi anti-COVID në vend. Lajmi u bë i ditur nga ministrja Ogerta Manastirliu, e cila inspektoi nga afër procesin e vaksinimit në Poliklinikën Qendrore. Ajo bëri apel për të rinjtë, studentët dhe çdo qytetar të vaksinohet sa më parë, për të mbrojtur shëndetin e tij dhe të tjerëve.