Presidentja Vjosa Osmani akuzon Serbinë se haptazi dhe vazhdimisht angazhohet “për të penguar” mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë. Sipas Osmanit, një angazhim i tillë është kundër frymës së marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve që palët arritën në Bruksel në shkurt, por edhe Aneksit për zbatimin e marrëveshjes, më 18 mars në Ohër.
Si e tillë, kjo qasje e Serbisë duhet të kundërshtohet nga e gjithë bota demokratike, meqë njëkohësisht paraqet edhe akt të ndërhyrjes së paligjshme nga jashtë, akt ky që dënohet me një sërë aktesh juridike ndërkombëtare.
Osmani foli në një takim me kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, një ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veriun me shumicë serbe. Në Mitrovicën e Veriut, Leposaviç, Zveçan e Zubin Potok, votimet u bojkotuan gjerësisht nga popullata serbe. Sipas KQZ-së, pjesëmarrja ishte vetëm 3.47%.
Pushteti do të ndahet mes dy partive shqiptare pas bojkotit masiv të serbëve. Kandidatët e Vetëvendosjes fituan në Leposaviç e në Mitrovicën e Veriut, me respektivisht 100 e 519 vota në total. Ata janë Lulzim Hetemi e Erden Atiq.
Në Zubin Potok e Zveçan u shpallën fitues kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës, Izmir Zeqiri me 196 vota e Ilir Peci me 114. Në Zveçan, vetëm një kandidate ishte serbe. 1 mijë e 567 qytetarë apo 3.47% e rreth 45 mijë votuesve të regjistruar hodhën votën e tyre. Megjithë këtë pjesëmarrje kaq të ulët, procesi i zgjedhjeve cilësohet “legjitim”.
Përfaqësuesit e Listës Serbe deklaruan se populli serb në Kosovë “kurrë nuk do të lejojë” që komunat me shumicë serbe në veri, të udhëhiqen nga ata që kanë fituar “1 apo 2% të votave”. Por, Kurti premtoi mbështetjen e ekzekutivit për të gjithë kryetarët dhe anëtarët e rinj të këshillave komunalë.
Osmani tha se dalja e ulët ishte për shkak se banorët iu nënshtruan “kërcënimeve e shantazheve” që të bojkotonin zgjedhjet. Edhe Kurti ia atribuoi klimës “së frikësimit e shantazhit”.
Komunat në veri mbetën pa kryetarë nga nëntori i kaluar kur përfaqësuesit serbë në atë zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës për shkak të kundërshtimit të një vendimi të qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.