Kompania italiane “Moltiply Group” ka ngritur një padi kundër gjigantit teknologjik Google, duke kërkuar një dëmshpërblim prej 2.97 miliardë eurosh.
Sipas padisë së paraqitur në një gjykatë në Milano, kompania pretendon se Google ka abuzuar me pozitën e tij dominuese në treg, duke dëmtuar rëndë konkurrencën në fushën e shërbimeve të krahasimit të çmimeve.
Moltiply është kompania që qëndron pas faqes së njohur italiane “Trovaprezzi.it”, një platformë për krahasimin e çmimeve.
Në dokumentet ligjore, ajo akuzon Google se ka ndërprerë në mënyrë të qëllimshme shërbimet për filialin e saj “7Pixel” gjatë periudhës 2010–2017, me qëllim për të forcuar pozitat e “Google Shopping” në treg.
Sipas “Reuters”, kjo është një tjetër padi që i shtohet historikut të gjatë të sfidave ligjore që Google ka përballuar në Evropë.
Në vitin 2017, Komisioni Evropian gjobiti kompaninë me 2.4 miliardë euro për shkelje të rregullave të konkurrencës, duke e akuzuar se kishte favorizuar produktin e vet për krahasimin e çmimeve në dëm të platformave rivale.
Pavarësisht përpjekjeve të Google për të ankimuar vendimin, në shtator të vitit të kaluar, Gjykata e Bashkimit Evropian e rrëzoi ankesën dhe e la në fuqi gjobën rekord.
Rasti i ri i ngritur nga Moltiply rihap debatin mbi fuqinë dominuese të gjigantëve teknologjikë në tregjet evropiane dhe praktikat e tyre konkurruese.