Tech

Kërkimet në Google po bien në Safari për herë të parë në 22 vjet!

Kërkimet në Google ranë në Safari për herë të parë muajin e kaluar, tha nënkryetari i lartë i shërbimeve të Apple, Eddy Cue, gjatë gjyqit të Google. “Kjo nuk ka ndodhur kurrë në 22 vjet”-shtoi Cue. Cue e lidhi rënien e kërkimeve me përdorimin në rritje të Inteligjencës Artificiale, të cilën kompania tani po e shqyrton përfshirjen në Safari. Rritja e kërkimit në internet në mjetet e AI-së si ChatGPT, Perplexity, Gemini dhe Microsoft Copilot mund t’i bëjë përdoruesit më pak të prirur për të vizituar Google si mënyrën e tyre kryesore për të gjetur informacion.

Google aktualisht i paguan Apple rreth 20 miliardë dollarë për ta bërë motorin e saj të kërkimit motorin e parazgjedhur në Safari, dhe një rënie në kërkime mund të nënkuptojë më pak para për Apple. “Kam humbur shumë gjumë duke menduar për këtë”-citohet të ketë thënë Cue, kur mori në konsideratë se çfarë do të bënte Apple pa të ardhurat nga Google Search.

Ndërsa Google dhe kompani të tjera vazhdojnë të përqafojnë AI-në, trafiku në faqet e internetit që normalisht do të merrnin klikime nga rezultatet e kërkimit po bie, duke i dhënë një goditje të madhe disa bizneseve. Në përgjigje të shqetësimeve nga pronarët e pavarur të faqeve të internetit, nënkryetari i Google Search, Pandu Nayak, tha se nuk mund të ofrojë “asnjë garanci” se gjërat do të ndryshojnë.

Rikujtojmë se OpenAI ka rënë dakord të blejë mjetin e kodimit të asistuar nga Inteligjenca Artificiale “Windsurf” për rreth 3 miliardë dollarë. Kështu ka raportuar Bloomberg News, duke cituar njerëz të njohur me çështjen. Marrëveshja nuk është mbyllur ende. OpenAI nuk pranoi të komentojë, ndërsa Windsurf nuk i është përgjigjur menjëherë kërkesave të Reuters për koment. Windsurf, i njohur më parë si Codeium, kohët e fundit kishte qenë në bisedime me investitorë, përfshirë General Catalyst dhe Kleiner Perkins, për të mbledhur fonde me një vlerësim prej 3 miliardë dollarësh.