Momente paniku përjetuan pasagjerët e një fluturimi të mëngjesit të kompanisë Ryanair, që ishte nisur nga aeroporti “Maqedonia” i Selanikut me destinacion Mynihun. Sipas informacioneve paraprake, pak minuta pas ngritjes, u shfaq një problem teknik në njërin nga dy motorët e avionit. Ekuipazhi aktivizoi menjëherë procedurat e emergjencës dhe piloti vendosi të kthehej në aeroportin e Selanikut, ku avioni u ul në mënyrë të sigurt.
Në të njëjtën kohë, pasagjerët raportojnë se gjatë fluturimit u dëgjua një zhurmë e fortë dhe u dëmtua një dritare e avionit, duke shkaktuar dekompresion të kabinës. Maskat e oksigjenit ranë automatikisht, ndërsa pasagjerët ndihmuan një pasagjer që ndodhej ulur pranë dritares së dëmtuar. Pas uljes së avionit, një ambulancë e EKAB-it (ndihma e shpejtë) mori pasagjerin e plagosur dhe e transportoi në spitalin AXEPA të Selanikut. Bëhet fjalë për një shtetas serb, 61 vjeç, i cili pësoi dëmtim në qafë.Pasagjerët u nisën më vonë drejt Mynihut me një avion tjetër, ndërsa autoritetet dhe kompania ajrore po hetojnë shkaqet e incidentit.