Aktualitet

Kompania Ryanair hyn në Shqipëri, biletat nisin nga çmimi 15 euro!

Ryanair nis fluturimet në Shqipëri prej 31 tetorit dhe biletat fillojnë nga 15 euro ndërsa kompania e njohur e fluturimeve, identifikohet për gjurmën e lënë duke sjellë çmimet e ulëta në Europë. Në krye të ekipit të shitjes e atij operacional, sot Tiranën e vizitoi Michael O’Leary, CEO i Ryanair-it. Në fokus, promovimi i fillimit të fluturimeve të Ryanair-it për në/nga Tirana, duke filluar nga e marta e javës së ardhshme, 31 tetor.

Ryanair ka nisur një fushatë promocionale në të 17 destinacionet e reja për/nga Tirana, me 50 mijë vende që janë në shitje, duke filluar nga 14.99 euro. Ato janë në dispozicion nga nëntori 2023 e deri në mars 2024 (por, këto vende duhet të rezervohen deri më 28 tetor, në faqen e internetit ryanair.com).

O’Leary tha se “oferta e lartë për sezonin dimëror të Ryanair-it në Tiranë, me 17 destinacione e mbi 200 frekuenca javore, tregon kërkesën e jashtëzakonshme që ekziston për udhëtime me çmime vërtet të ulëta për ardhjen e turistëve në Shqipëri e gjithashtu për qytetarët shqiptarë”.

Ryanair beson se mund të japë rritje të jashtëzakonshme e të qëndrueshme të trafikut dhe turizmit edhe për shumë vite në Shqipëri. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me CEO e Ryanair-it, ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, deklaroi:

Ardhja e një kompanie si Ryanair, një emër me kaq eksperiencë në industrinë europiane të aviacionit, pritet të sjellë më shumë diversifikim, mundësi dhe sigurisht në rastin konkret edhe më shumë destinacione të reja për fluturime direkte me Tiranën, siç janë Bukureshti e Praga.

Gjatë fjalës së tij, ministri Mete theksoi edhe faktin se në vendin tonë, turizmi ka njohur rritje gjatë këtij viti e tashmë Shqipëria është kthyer në një destinacion të preferuar, thuajse gjithëvjetor.

Sipas shifrave më të fundit zyrtare të INSTAT-it, për periudhën 9-mujore, vendin tonë e kanë vizituar rreth 8.3 milion turistë. Muaji i kaluar u mbyll me 1.1 milion vizitorë të huaj ose rreth 45% më shumë se vitin e kaluar.