Food & Drink Health & Beauty Lifestyle

Vezët apo kosi grek? Cili është më i mirë për humbje peshe…

Vezët dhe kosi grek janë ndër ushqimet me më shumë proteina dhe zgjedhje të zakonshme për mëngjes. Të dyja mund të ndihmojnë në humbjen e peshës, pasi proteinat rrisin ndjesinë e ngopjes dhe ndihmojnë në ruajtjen e masës muskulore gjatë dobësimit. Por cili është zgjedhja më e mirë? Përgjigjja varet nga nevojat dhe objektivat tuaja.

Kur vezët mund të jenë zgjedhja më e mirë?

Vezët janë të përshtatshme për personat që:

  • preferojnë mëngjese të kripura;
  • ndjekin një dietë me pak karbohidrate;
  • duan të ndihen të ngopur për më gjatë.

Ato përmbajnë më shumë yndyrë sesa kosi grek dhe, së bashku me proteinat, kjo ndihmon në zgjatjen e ndjesisë së ngopjes.

Përveç proteinave, vezët janë të pasura me:

  • kolinë (e rëndësishme për trurin dhe mëlçinë);
  • vitaminë A;
  • vitamina të grupit B;
  • fosfor;
    selen.

Megjithatë, vezët përmbajnë më shumë kolesterol dhe yndyra të ngopura. Edhe pse studimet e fundit tregojnë se kolesteroli në ushqim nuk ndikon te të gjithë njerëzit njësoj, ekspertët rekomandojnë që yndyrat e ngopura të konsumohen me moderim, veçanërisht tek personat me rrezik për sëmundje të zemrës.

Kur kosi grek mund të jetë zgjedhja më e mirë?

Kosi grek është një alternativë shumë e mirë për ata që:

  • numërojnë kaloritë;
  • duan të kufizojnë marrjen e yndyrës;
  • kërkojnë një ushqim të pasur me proteina, por me më pak kalori.

Për të njëjtën sasi proteinash, kosi grek zakonisht ka:

  • më pak kalori;
  • më pak yndyrë;
  • shumë më pak kolesterol.

Megjithatë, ai përmban më shumë karbohidrate se vezët, gjë që mund të ketë rëndësi për personat që ndjekin dieta me pak karbohidrate. Një tjetër avantazh i madh është përmbajtja e lartë e kalciumit, që ndihmon në shëndetin e:

  • kockave;
  • dhëmbëve.

Nëse dëshironi të ulni më tej kaloritë dhe yndyrat, mund të zgjidhni kos grek me pak yndyrë ose pa yndyrë.

Cili ju mban të ngopur më gjatë?

Ndjenja e ngopjes varet kryesisht nga sasia e yndyrës dhe proteinave. Vezët përmbajnë pothuajse dy herë më shumë yndyrë totale se kosi grek, ndaj zakonisht ju mbajnë të ngopur për një kohë më të gjatë. Megjithatë, edhe kosi grek mund të jetë shumë ngopës, sidomos nëse kombinohet me ushqime të tjera të pasura me fibra dhe yndyrna të shëndetshme.

Për shembull:

Vezët mund të shoqërohen me bukë integrale, perime ose pak djathë. Kosi grek mund të kombinohet me fruta, gjalpë kikiriku, arra ose granola.

A mund t’i konsumoni të dyja?

Po. Ekspertët theksojnë se si vezët ashtu edhe kosi grek janë burime shumë të mira proteinash dhe mund të përfshihen në një regjim për humbje peshe. Më e rëndësishme se zgjedhja mes këtyre dy ushqimeve është modeli i përgjithshëm i të ushqyerit. Një dietë e ekuilibruar, e pasur me:

  • proteina të dobëta;
  • fruta;
  • perime;
  • drithëra integrale;
  • bishtajore;
  • arra dhe fara,
  • është çelësi për humbje peshe të qëndrueshme.