Zyrtarët britanikë kundërterrorizmit njoftuan se arrestuan disa iranianë, nën dyshimet se po planifikonin që të sulmonin një objektiv të paidentifikuar në Londër, siç njoftoi policia.
Pesë burra, të moshave nga 29 deri në 46 vjeç, u arrestuan dje në disa zona të Anglisë, nën dyshimet se po përgatisnin një akt terrorist. Katër nga të prangosurit janë shtetas iranianë. Ndërkaq, kombësia e personit të pestë ende nuk është përcaktuar.
Tre iranianë të tjerë u arrestuan në Londër nën dyshimet për vepra penale që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare. Ata u ndaluan si pjesë e një hetimi të ndarë, tha policia britanike.
Të gjithë të dyshuarit po merren në pyetje dhe ndaj tyre ende nuk është ngritur ndonjë aktakuzë. Autoritetet thanë se nuk do ta identifikojnë shënjestrën e dyshuar të këtij komploti “për arsye operacionale”.
Komandanti Dominic Murphy, kreu i Komandës kundër Terrorizmit, tha se policia ende po punon për të përcaktuar motivin “si dhe për të identifikuar nëse mund të ketë ndonjë rrezik tjetër për publikun”. Sekretarja britanike për Punët e Brendshme, Yvette Cooper, deklaroi:
Arrestimet janë momente të rëndësishme, që tregojnë kërkesën e vazhdueshme për të përshtatur përgjigjen për kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare. Qeveria vazhdon që të punojë me policinë dhe agjencitë e Inteligjencës për të mbështetur të gjitha veprimet dhe vlerësimet për sigurinë e që janë të nevojshme për ta mbajtur vendin të sigurt.
Në tetorin e vitit të kaluar, kreu i shërbimit të sigurisë britanike, MI5, Ken McCallum, deklaroi se agjentët e tij dhe policia kishin trajtuar 20 plane “potencialisht vdekjeprurëse” të mbështetura nga Irani që nga viti 2022. Shumica e tyre kishin në shënjestër iranianë në Mbretërinë e Bashkuar e që kundërshtojnë autoritetet në vendin e tyre.