Bota

Sulm kibernetik ndaj Britanisë, hakerat rusë vjedhin të dhëna nga Ministria e Jashtme!

Një sulm i sofistikuar kibernetik ka vënë në alarm autoritetet britanike, pasi hakerët e dyshuar rusë kanë arritur të komprometojnë llogaritë elektronike të zyrtarëve qeveritarë dhe stafit të Ministrisë së Jashtme, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë kombëtare dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike. Sulmi, i identifikuar nga ekspertët e sigurisë kibernetike me emrin FortiBleed, ka shfrytëzuar një dobësi në pajisjet e sigurisë të kompanisë Fortinet, duke prekur më shumë se 80 mijë firewall-e në mbarë botën. Sipas hetimeve, hakerat kanë përdorur kredenciale të vjedhura më parë për të fituar akses të paautorizuar në sisteme të ndjeshme.

Sipas një liste të siguruar nga The Telegraph, mes llogarive të komprometuara ndodhen email-et dhe fjalëkalimet e stafit të Ministrisë së Jashtme britanike, punonjësve të ambasadave në Tajlandë dhe Mauritius, si edhe zyrtarëve të pushtetit vendor në Derbyshire dhe Waltham Forest. Kredencialet e vjedhura po ofrohen për shitje në forumet e “dark web”, ku aksesi në disa prej tyre arrin deri në rreth 44 mijë paund, duke rritur rrezikun e depërtimit në sisteme të tjera qeveritare.

Shqetësimet shtrihen edhe te infrastruktura kritike e vendit. Mes institucioneve të prekura raportohet se ka organizata të NHS-së, kompani energjetike dhe furnizues të rëndësishëm të barnave. Dr. Saif Abed, ish-mjek i NHS-së dhe ekspert i sigurisë kibernetike, paralajmëroi për pasojat e mundshme të sulmit.

“Organizatat e NHS, farmacitë, laboratorët dhe furnizuesit e tyre varen shumë nga produktet e prekura nga FortiBleed. Ky është pikërisht lloji i sulmit që mund të shërbejë si hapi i parë drejt një sulmi katastrofik me ransomware, duke rrezikuar sigurinë e pacientëve në të gjithë vendin”, tha ai. Ndërkohë, eksperti i sigurisë kibernetike Volodymyr Diachenko, i cili zbuloi sulmin, deklaroi se hakerat kanë siguruar akses në “rrjete kyçe” të Ministrisë së Jashtme britanike dhe paralajmëroi se edhe departamente të tjera qeveritare mund të jenë të ekspozuara.