Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u takua në Paris me zv.presidentin e Shteteve të Bashkuara, J.D.Vance, në kuadër të një vizite që po zhvillon në kryeqytetin e Francës, me ftesë të homologut Emmanuel Macron, për pjesëmarrje në një samit botëror për Inteligjencën Artificiale. Përmes një komunikate për media, Presidenca njoftoi se Osmani ka shprehur mirënjohjen e thellë për aleancën e Kosovës me SHBA-të, “duke konfirmuar përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit në fusha të interesit të përbashkët”.
Më herët gjatë këtij muaji, Osmani ka zhvilluar një mori takimesh me zyrtarë amerikanë dhe ligjvënës në Uashington. Kryetarja e shtetit u shpreh se me administratën e re amerikane të presidentit Donald Trump, Kosova synon të thellojë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes e të investimeve strategjike.
Mbështetja amerikane ka qenë dhe mbetet jetike për shtetin tonë, pati deklaruar Osmani pas një takimi me Brian Mast-in, kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve. Deklaratat e saj janë bërë në kohën kur qeveria aktuale e Kosovës, e drejtuar nga lëvizja Vetëvendosje është përballur me kritika nga zyrtarë të administratës amerikane.
Lëvizja Vetëvendosje ka dalë sërish e para në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, duke siguruar mbi 40% të votave. Më 3 shkurt, i dërguari amerikan për misione të veçanta, Richard Grenell, u shpreh se SHBA-ve iu duhen partnerë të besueshëm në Ballkan. Sipas tij, “qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, nuk është e tillë”.
Kabineti i Kurtit nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë, në lidhje me këto komente, por duke folur për një media në Kosovë, Istogu Channel, përsëriti se marrëdhëniet me SHBA-të janë në nivelin më të mirë. Grenell reagoi sërish e vuri në dukje se në fakt, ato nuk kanë qenë kurrë në pikë më të ulët.
Kurti ishte përballur me kritika edhe nga administrata paraprake amerikane e drejtuar nga Joe Biden, për shkak të disa veprimeve të ndërmarra në veriun me shumicë serbe, lidhur zëvendësimin e targave serbe me ato të Kosovës, heqjen e dinarit serb nga përdorimi apo mbylljen e institucioneve serbe. Albin Kurti i ka justifikuar ato veprime si hapa drejt shtrirjes së sundimit të ligjit në veri dhe ka thënë se “janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”.