Bota

Parisi mbledh udhëheqësit perëndimorë për të ardhmen e Ukrainës!

Zyrtarë nga më shumë se 30 vende perëndimore të të ashtuquajturit “Koalicioni i të Gatshmëve” e që mbështesin Kievin në luftën me Rusinë, sot takohen me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Ndërkaq, vazhdojnë të përsosin një propozim paqeje që synon t’i japë fund konfliktit më të madh dhe më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Në takimin ka edhe një prani amerikane, me kryenegociatorët e presidentit Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, të pranishëm në kryeqytetin francez, megjithëse sekretari i Shtetit, Marco Rubio, nuk ka gjasa të vijë, pavarësisht shpresave në disa kryeqytete evropiane se ai do të merrte pjesë gjithashtu.

Zyrtarë evropianë i thanë Radios Evropa e Lirë se ka “një ndjenjë të ripërtërirë urgjence” pas një takimi gjatë fundjavës të këshilltarëve për sigurinë kombëtare dhe një mbledhjeje të planifikuesve ushtarakë, një ditë më parë.

Ata shpresojnë se takimi në Paris do të sigurojë që Shtetet e Bashkuara, Ukraina dhe vendet e tjera evropiane “të jenë në të njëjtën linjë”.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, u shpreh se ai po shpreson që të paraqesë “angazhime konkrete” për sigurinë e Ukrainës pas bisedimeve. Ideja është që të ketë qartësi mbi përbërjen dhe dislokimin e një force paqeruajtëse në rast të një armëpushimi.

Disa zyrtarë bëjnë të ditur se shifra që qarkullon në disa kryeqytete evropiane është që forca të përbëhet nga 15 mijë e deri në 20 mijë trupa, megjithëse disa shpresojnë që niveli të jetë më afër 30 mijëshit duke vepruar nën moton “det, qiell dhe tokë të sigurta”.

Nuk janë zbuluar plane ushtarake, por pjesa më e madhe e trupave do të vinte nga Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, të cilat do të udhëhiqnin komponentët tokësorë dhe ajrorë, ndërsa Turqia ka treguar se do të ishte përgjegjëse për sigurimin e korridoreve të transportit në Detin e Zi.

Megjithatë, ende nuk ka qartësi se sa afër vijës së kontaktit do të vendosej një forcë e mundshme e Koalicionit të të Gatshmëve. Shumica e zyrtarëve evropianë me të cilët ka qenë në kontakt REL-i besojnë se dislokimi i mundshëm do të bëhej në Ukrainën Perëndimore për të mbështetur dhe trajnuar trupat ukrainase.