Nga sot e deri më 8 shkurt, mbi 100 mijë shtetas të Kosovës që jetojnë jashtë vendit do të mund të votojnë me postë për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Ndërkaq, më 8 shkurt kanë mundësi të votojnë fizikisht në përfaqësi diplomatike të Kosovës në 22 vende. Mënyra e votimit varet nga çfarë kanë zgjedhur të votojnë kur u regjistruan si zgjedhës.
Nga 104.924 votues që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës, 84.525 prej tyre kanë zgjedhur të votojnë përmes postës, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Pra, 67.421 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së jashtë Kosovës, kurse 17.104 do ta dërgojnë pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë. Sipas regjistrimit të popullsisë, në diasporë jetojnë rreth 550 mijë kosovarë.
Mërgimtarët kosovarë kanë mundësi të votojnë fizikisht më 8 shkurt në përfaqësi diplomatike dhe konsullore në vendet ku jetojnë. Vendvotimet në përfaqësi diplomatike dhe konsullore do të jenë të hapur prej orës 07:00 deri në ora 19:00, sipas kohës lokale në vendet përkatëse.
Të drejtë vote kanë të gjitha ata që posedojnë dokumentet identifikues të lëshuara nga Kosova, si letërnjoftim, pasaportë ose lejen e vozitjes dhe që është regjistruar paraprakisht për votim. Në rast se dokumenti identifikues i lëshuar nga shteti i Kosovës është me afat të skaduar, atyre u kërkohet ta paraqesin edhe një dokument identifikues të vlefshëm të shtetit ku jetojnë, sipas KQZ-së.
Një mërgimtar mund të shkojë e të votojë në Kosovë në ditën e zgjedhjeve parlamentare, më 9 shkurt, duke u paraqitur në vendvotimin e komunës përkatëse. Por, për ta bërë këtë, nuk duhet të jetë i regjistruar paraprakisht si votues jashtë vendit. Votuesit e regjistruar jashtë vendit, nuk e kanë emrin në listën e votuesve në Kosovë.
KQZ-ja ka bërë të ditur se numri i votuesve për zgjedhjet e 9 shkurtit do të jetë 2 milion e 75 mijë e 868 votues brenda dhe jashtë Kosovës. Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1.280 kandidatë.
Në fletëvotim, votuesit do të mund të zgjedhin një subjekt politik dhe deri në dhjetë kandidatë për deputetë. Ky është një ndryshim pas miratimit të Ligjit të ri për zgjedhjet. Në të kaluarën, qytetarët kanë pasur mundësinë të zgjedhin deri në pesë kandidatë.