Për 5 orë Kryebashkiaku i Tiranës dëshmoi para agjentëve të BKH-së si person që ka dijeni për hetimin e nisur nga Prokuroria e Posaçme, në lidhje me një vepër penale të korrupsionit pasiv, ndërkohë ka nisur dhe hetim pasuror. Burimet bëjnë me dije se Veliaj është thirrur në SPAK me kërkesë të prokurorit Ols Dado.
Veliaj nuk pranoi të komentojë për gazetarët që e pritën tek dera e SPAK por tha se do të japë detaje në këshillin bashkiak.
‘Do t’ju shpjegoj nga mbledhja e këshillit bashkiak live’, tha Veliaj
Kryebashkiaku Veliaj u paraqit në SPAK në orën 09:00 i vetëm pa praninë e avokatit.
Ndërkohë jashtë SPAK ishin grumbulluar militantë të PD dhe nga shoqëria civile, të cilët në momentin e daljes së Veliajt, e ofenduan atë dhe hodhën letra në drejtim të tij.
Më 6 dhjetor 2024 SPAK sekuestroi telefonin e bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa. Me vendim të GJKKO kontrolle u kryen dhe në studion ‘Harabel’ tek ish-Blloku ku u sekuestruan dhe dokumente që kanë të bëjnë me hetimet e nisura nga prokurori Olsi Dado, në lidhje me pasurinë e Erion Veliajt dhe familjarëve të tij.
Pas sekuestrimit të telefonit të bashkëshortes së Veliajt, SPAK u shpreh se janë ndërmarrë veprimet hetimore, ndërsa hetimi i nisur nga prokurori Dado është ende në faza paraprake.
Kjo është hera e dytë që Veliaj paraqitet në SPAK, pasi herën e parë u paraqit më 30 prill të këtij viti. Në atë kohë kryebashkiaku qëndroi për 8 orë në SPAK lidhur me hetimet e Prokurorisë së Posaçme për inceneratorin e Tiranës.