Në mjediset e jashtme të Parlamentit, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ndal sërish para gazetarëve, pas përfundimit të seancës që vijon pasdite në orën 17:00.
Unë nuk bëra gjë tjetër veçse u thashë që në Parlament janë kartelet e drogës. Ata nuk mund të mos e thoja, të vret Zoti po të mos e thuash atë. Si mund ta lejoja unë Vasil Llajon, një mjek pa eksperiencë parlamentare dhe e mashtrojnë si të duan… Ai nuk e di që parlamenti u rrëzua që dje, kur shpalli komisione që nuk ekzistojnë në rregullore.
Gazetarëve që i vunë në dukje se ai është Parlamenti ku opozita ka vendosur të hyjë, Berisha u shpreh:
Ne erdhëm, por a e patë si erdhëm?
Berisha foli për gazetarët edhe në prag të nisjes së seancës së parë të legjislaturës së re parlamentare. Hyrjen në Kuvend e cilësoi si veprim të domosdoshëm në funksion të asaj që e quajti “beteja më e fuqishme që PD-ja ka zhvilluar ndonjëherë për çlirimin e shqiptarëve nga narkodiktatura”.
I pyetur nga gazetarët nëse PD-ja do të marrë pjesë në zgjedhjet për kreun e Bashkisë Tiranë, kryedemokrati u shpreh skeptik për mundësinë e zgjedhjeve të lira nën qeverisjen e Edi Ramës.
E kam thënë dhe e përsëris: me Edi Ramën nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë zgjedhje të lira.
Në lidhje me mundësinë e bojkotit, Berisha nuk e përjashtoi si opsion:
Ka dy taktika dhe bojkoti është një prej tyre, por është forma më e lehtë. Ne mund të bojkotonim edhe zgjedhjet e 2025-ës. Por beteja është më shumë se kaq. Rama do të mbulojë atë që po ndodh sot në Parlamentin e drogës, ndaj përdor çështjen e Bashkisë së Tiranës si shashkë mediatike.