Aktualitet Politikë

Kuvendi nis punimet, opozita bllokon foltoren/Deputetët betohen në orën 17.00!

Nisi dhe u mbyll mes tensionesh e para seancë e legjislaturës së XI-të, ku pasdite (ora 17:00) do të betohen deputetët e rinj të Kuvendit të Shqipërisë të dalë nga zgjedhjet e 11 majit. Partia Demokratike, që me aleatët ka 50 deputetë nisi aksionin opozitar, duke shpalosur pankarta me foto të eksponentëve kryesorë të Partisë Socialiste dhe të mbishkruara me akuza.

 

Me një apel bashkëpunues mes partive politike, deputeti Vasil Llajo hapi seancën e parë të legjislaturës së re të Kuvendit të Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e këtij momenti për të ardhmen politike të vendit dhe procesin e integrimit europian.

Sipas Kushtetutës, më është besuar detyra e nderuar për të hapur këtë seancë të parë. Ky është një moment solemn, sepse fillon kapitulli i katër viteve të ardhshme ku do të shkruhet historia e vendit tonë. Jeta politike ndërtohet mbi energjinë e rinisë dhe maturinë e përvojës. Shërbimi ndaj njeriut është rruga më e ndershme që duhet ndjekur edhe në këtë sallë e çdo vendim duhet të ketë në qendër qytetarin dhe dinjitetin e tij, tha Llajo.

Socialisti Llajo mbajti fjalën solemne të hapjes së Legjislaturës XI-të të punimeve të Kuvendit, si më i vjetri në moshë, pas refuzimit që bënë Sali Berisha e Tritan Shehu.

U ngrit Komisioni i Verifikimit të Mandateve:

-Milva Ekonomi

-Olsi Komici

-Aulona Bylykbashi

-Hatixhe Konomi

-Elton Korreshi

-Arkend Balla

Kryetari demokrat Sali Berisha kërkoi fjalën në seancë.

Nuk lexoi emrat e Bajrit, Pëllumb Gjokës. Nuk e lexoi emrat e deputetëve të vërtetë të partisë së krimit, por vetëm presto nomet, tha Berisha ndërsa rreth foltores u mblodhën deputetë e tjerë opozitarë me pankarta në duar.

Llajo iu drejtua Berishës me fjalët:

Le të tregojmë që jemi të respektueshëm ndaj rregullores së Kuvendit dhe gjykimet tuaja në seancat në vijim. Ju lutem shumë. Profesor i dashur, me respektin që kam ndaj jush si pedagogu im të lutem të respektojmë rregulloren. Noka, jemi kolegë bashkë.

Pas betimit, pritet që maxhoranca të propozojë Niko Peleshin për kryetar të ri të Kuvendit, sipas njoftimit të një dite më parë nga Edi Rama. Votimi do të zhvillohet me fletë dhe kuti, ndërsa me shpalljen e rezultatit, Llajo do t’ia lërë vendin Peleshit, i cili do të mbajë fjalën e tij të parë.