Celebrities Gossip Showbiz

Pas viteve të ftohta, Mbreti Charles përqafon Harry-n dhe takon nipin e mbesën?

Pas vitesh tensionesh dhe raportesh të acaruara, Mbreti Charles dhe Mbretëresha Camilla janë takuar të premten me Princin Harry, Meghan Markle dhe dy fëmijët e tyre në rezidencën mbretërore Highgrove, në perëndim të Anglisë.

Sipas një burimi nga Pallati Mbretëror, takimi u zhvillua në një atmosferë krejtësisht private familjare dhe nuk do të publikohen fotografi, video apo detaje të tjera nga ai.

Ky ishte takimi i parë i Mbretit Charles me nipin e mbesën e tij, Archie, 7 vjeç, dhe Lilibet, 5 vjeçe, që nga viti 2022. Për shkak të largimit të Harry-t dhe Meghan-it në Shtetet e Bashkuara, si edhe përplasjeve të vazhdueshme brenda familjes mbretërore, Charles ka pasur shumë pak mundësi t’i shohë dy fëmijët.

Që prej largimit nga detyrat si anëtar aktiv i familjes mbretërore gjashtë vite më parë, Harry është kthyer në Britani vetëm një ose dy herë në vit. Marrëdhënia e tij me Mbretin Charles dhe Princin William është përkeqësuar pas intervistave publike, dokumentarit të Netflix dhe librit autobiografik “Spare”, ku ai ngriti akuza ndaj familjes mbretërore.

Takimi i fundit vjen në një moment delikat për Mbretin Charles, i cili vazhdon trajtimin për kancer. Vitin e kaluar, Harry ishte shprehur se dëshironte pajtim me familjen, duke thënë se “nuk e di se sa kohë i ka mbetur babait të tij”.

Vizita e Harry-t në Britani u shoqërua edhe me aktivitete bamirësie dhe me pjesëmarrjen në një seancë gjyqësore për çështjen e privatësisë kundër mediave britanike. Megjithatë, ajo u parapri nga mosmarrëveshje me Pallatin Buckingham lidhur me masat e sigurisë dhe akomodimin gjatë qëndrimit të tij.

Këtë javë, Duka i Sussex humbi gjithashtu një tjetër çështje gjyqësore për privatësinë kundër botuesit të gazetës Daily Mail. Sipas Harry-t, babai i tij e kishte cilësuar këtë proces ligjor si “një mision vetëvrasës”.

Takimi i së premtes ishte hera e parë që babë e bir shiheshin personalisht që nga shtatori, duke nxitur shpresa se mund të jetë hapi i parë drejt një pajtimi të shumëpritur brenda familjes mbretërore. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse ky takim do të shënojë një kthesë të vërtetë në marrëdhëniet mes tyre.