Health & Beauty Lifestyle

Pse disa njerëz sillen sikur dinë gjithçka?! Ja çfarë thotë shkenca…

Të gjithë njohim dikë të tillë. Ndoshta punoni me të ose e keni pjesë të familjes. Është ai personi që flet me siguri për çdo temë, edhe kur nuk ka njohuritë e nevojshme, dhe nuk heziton t’u japë leksione edhe atyre që dinë më shumë.

Por pse disa njerëz sillen sikur janë ekspertë për gjithçka?

Sipas studiuesve, një nga shpjegimet lidhet me një fenomen psikologjik të quajtur “realizëm naiv”. Ai përshkruan prirjen e njerëzve për të besuar se mënyra si e shohin botën është e vetmja e saktë. Në realitet, perceptimet tona ndikohen nga përvojat personale, emocionet dhe paragjykimet, ndaj dy persona mund ta interpretojnë të njëjtën situatë në mënyra krejtësisht të ndryshme. Për këtë arsye, disa njerëz besojnë se kushdo që mendon ndryshe e ka gabim dhe ndiejnë nevojën ta korrigjojnë vazhdimisht. Një tjetër shpjegim është “iluzioni i informacionit të mjaftueshëm”, sipas të cilit njerëzit shpesh mendojnë se kanë informacion të mjaftueshëm për të nxjerrë përfundime të sakta, edhe kur nuk është kështu.

Për shembull, nëse dikush sheh një kolege që nuk ndihet mirë çdo mëngjes, mund të arrijë menjëherë në përfundimin se ajo është shtatzënë. Më pas mund të zbulojë se simptomat lidhen me një trajtim mjekësor, si kimioterapia. Ky është një shembull se si përfundimet mund të nxirren mbi baza të pamjaftueshme. Sipas ekspertëve, kombinimi i këtyre dy prirjeve mund t’i bëjë disa njerëz të besojnë se dinë më shumë nga sa dinë në të vërtetë dhe se duhet t’ua imponojnë mendimet e tyre të tjerëve. Megjithatë, kjo nuk është arsyeja e vetme. Studiuesit thonë se tek disa persona ndikon edhe dëshira për status shoqëror. Duke u paraqitur si më të ditur, ata përpiqen të fitojnë respekt ose të krijojnë përshtypjen se janë më kompetentë.

Një faktor tjetër është nevoja për kontroll. Disa njerëz ndihen më të sigurt kur mendojnë se ndikojnë tek të tjerët dhe në mënyrën se si ata mendojnë. Në këtë fenomen lidhet edhe efekti Dunning-Kruger, sipas të cilit njerëzit me njohuri të kufizuara në një fushë priren t’i mbivlerësojnë aftësitë e tyre. Për shkak se nuk e kuptojnë sa shumë u mungon të mësojnë, ata shpesh nuk arrijnë të dallojnë kur dikush tjetër është më i informuar. Si rezultat, ata flasin me shumë vetëbesim dhe, duke qenë se njerëzit shpesh ndikohen më shumë nga siguria sesa nga saktësia, mund të duken bindës edhe kur gabojnë. Në fund, studiuesit arrijnë në përfundimin se njerëzit që sillen sikur dinë gjithçka, shpesh nuk janë të vetëdijshëm për kufijtë e njohurive të tyre. Ndonjëherë, arsyeja pse dikush mendon se di gjithçka është pikërisht sepse nuk e kupton sa shumë ka ende për të mësuar.