Ndonjëherë është shumë e lehtë të kuptosh që ke përballë një njeri toksik. Ka njerëz që nuk respektojnë kufijtë e të tjerëve, krijojnë vazhdimisht drama ose e bëjnë çdo marrëdhënie të lodhshme. Por jo gjithmonë shenjat janë kaq të dukshme. Ka edhe sjellje shumë më të fshehta, të cilat shumica e njerëzve i justifikojnë ose thjesht nuk i vënë re. Ata që kanë intuitë të fortë, megjithatë, i dallojnë menjëherë dhe e kuptojnë shpejt se me kë kanë të bëjnë.
1. Historia e tyre ndryshon vazhdimisht
Në dokumentarët kriminalë, hetuesit i marrin në pyetje të dyshuarit disa herë për të parë nëse rrëfimi i tyre ndryshon. I njëjti parim vlen edhe në jetën e përditshme. Kur dikush thotë të vërtetën, historia zakonisht mbetet e njëjtë. Ndërsa ata që manipulojnë, u tregojnë versione të ndryshme njerëzve të ndryshëm, sipas interesit që kanë. Kjo është një mënyrë për të kontrolluar mënyrën si i perceptojnë të tjerët. Njerëzit intuitivë e kuptojnë menjëherë se një person i tillë nuk është i besueshëm.
2. Premtimet i harrojnë sapo i bëjnë
Të gjithë mund të mos e mbajnë një premtim në rrethana të veçanta. Jeta ndryshon dhe ndonjëherë gjërat dalin jashtë kontrollit. Por kur dikush e bën këtë vazhdimisht, nuk është më rastësi. Është një model sjelljeje. Shumë njerëz e kuptojnë vetëm pasi janë zhgënjyer disa herë. Ata që kanë intuitë të zhvilluar e dallojnë këtë shumë më herët.
3. Janë të fiksuar me mënyrën si duken para të tjerëve
Të gjithëve u intereson deri diku reputacioni, por problemi fillon kur ai bëhet më i rëndësishëm se vetja. Ka njerëz që bëjnë gjithçka vetëm për të krijuar një imazh perfekt. Sillen ndryshe sipas situatës, thonë atë që të tjerët duan të dëgjojnë dhe fshehin personalitetin e tyre të vërtetë.
4. Sillen ndryshe me njerëzit sipas pozitës që kanë
Ka nga ata që tregohen të sjellshëm me shefat apo njerëzit me pushtet, por shpërfillin kamerierët, punonjësit e shërbimit ose këdo që nuk u sjell ndonjë përfitim. Edhe pse kjo sjellje është bërë pothuajse e zakonshme, ajo mbetet një tregues i fortë i karakterit. Njerëzit intuitivë e vënë re menjëherë mungesën e respektit dhe e konsiderojnë një sinjal alarmi.
5. Nuk marrin kurrë përgjegjësi
Pranimi i gabimeve nuk është i lehtë për askënd. Megjithatë, njerëzit e pjekur dinë të thonë: “Gabova.” Ata që fajësojnë gjithmonë të tjerët dhe nuk marrin asnjëherë përgjegjësi për veprimet e tyre tregojnë mungesë pjekurie. Për njerëzit intuitivë, kjo është një nga shenjat më të forta paralajmëruese.