Vendimi i Karlo Ançelotit për të marrë drejtimin e Brazilit dhe largimi i tij nga Real Madrid, i hap rrugë Çabi Alonsos të plotësojë lëvizjen domino të trajnerëve nëpër Europë gjatë verës. Tekniku i ka dhënë lamtumirën Leverkusenit dhe tashmë nuk është mister se do të jetë pikërisht ai pasardhësi i italianit te “Los Blancos”.
LEXO EDHE: Merr fund telenovela mes Ançelotit dhe Brazilit, trajneri italian firmos deri në vitin…
Mendohej se lëvizja do të zyrtarizohej në mesin e korrikut, por largimi i menjëhershëm i Ançelotit në fundin e kampionatit, sipas “AS” i hap rrugën Çabi Alonsos që të drejtojë ekipin që në Botërorin e Klubeve. Kësisoj, ai pritet të nisë punën më 1 qershor, për të përgatitur skuadrën për turneun që zhvillohet në SHBA.
Megjithatë, Alonso ka bërë të qartë se ka disa kërkesa për klubin, përforcime që cilësohen të detyrueshme për një cikël fitues. I pari dihet, është Trent Aleksander-Arnold. Dy emrat e tjerë janë një mbrojtës i majtë dhe një i qendrës, për të përforcuar një repart i cili ka pësuar shumë ulje ngritje gjatë edicioneve të fundit duke detyruar aktivizimin e mesfushorëve për shkak të emergjencave. Këto kërkesa pritet të plotësohen që në ditët e tij të para të punës, në mënyrë që Alonso të ketë skuadrën e plotë në dispozicion.