Një padi lidhur me pasivizimin e adresave të shqiptarëve në jug të Serbisë u dërgua në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut, bëri të ditur avokati Drini Grazhdani përmes një postimi në Facebook.
Sipas tij, padia kundër Serbisë është rezultat i një “pune të përbashkët juridike dhe njerëzore” dhe lidhet me një çështje që, siç tha, “ka rëndësi të gjerë publike”.
Ai falënderoi bashkëpunëtorët për përgatitjen e rastit, ndërsa veçoi edhe Teuta Fazliun, e cila pranoi të përfaqësojë çështjen në fjalë.
Ky rast nuk ka të bëjë vetëm me një individ, por me standardet e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe ndalimin e praktikave diskriminuese sistematike.
Pasivizimi i adresave nënkupton fshirjen e qytetarëve nga adresat ku kanë qenë të regjistruar. Ky veprim rezulton me humbjen e shtetësisë serbe e rrjedhimisht, të drejtave civile, përfshirë të drejtën për të votuar, për të pasur pronë, për të përfituar sigurim shëndetësor e pension, si dhe për t’u punësuar.
Çështja është ngritur vazhdimisht nga shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, si edhe nga Qeveria e Kosovës, që e ka cilësuar praktikën si diskriminuese. Për këtë temë janë organizuar edhe protesta ndër vite.
Në Raportin e Progresit për Serbinë të publikuar më 4 nëntor nga Komisioni Europian, në pjesën për mbrojtjen e minoriteteve thuhet se:
Pjesëtarët e minoritetit kombëtar shqiptar vazhdojnë të ngrejnë shqetësime lidhur me mënyrën si policia kontrollon statusin e banimit të tyre në jug të Serbisë, duke rezultuar me pasivizimin e adresave të caktuara.
Në raport theksohet se autoritetet duhet t’i shpjegojnë më mirë publikut mënyrën e kryerjes së këtyre kontrolleve dhe të adresojnë shqetësimet për mungesë të mjeteve efektive të ankimimit.
Çështja e pasivizimit është përmendur edhe në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në Serbi për vitin 2023, ku theksohet se “kjo praktikë duket se është zbatuar në mënyrë joproporcionale ndaj shqiptarëve, sidomos në Medvegjë”.
Në raportin e Komisionit Europian po ashtu nënvizohet se plani i veprimit për përmirësimin e përfaqësimit të shqiptarëve në institucione “ende nuk ka prodhuar rezultatet e duhura” dhe se pakicat kombëtare vazhdojnë të jenë të nënpërfaqësuara në administratën publike e në polici.
Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2022-shin, në Serbi jetojnë më shumë se 60 mijë shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe në këtë shtet.
Lugina e Preshevës, term që përdoret për Preshevën, Medvegjën e Bujanocin në raportet ndërkombëtare konsiderohet si zonë e izoluar, që merr vëmendje kryesisht në periudha zgjedhore.
Në korrik të këtij viti, deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, dorëzoi një draft-rezolutë për situatën e shqiptarëve në Luginë, duke kërkuar që kjo çështje të përfshihet në dialogun Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian e që të pezullohen masat administrative për pasivizim të adresave.