Rajoni

Ligjvënësit amerikanë vizitë në Luginën e Preshevës, fokusi te marrëveshjet e pazbatuara!

Dy kongresmenët amerikanë, republikani Keith Self dhe demokrati Suhas Subramanyam, sot vizitojnë Luginën e Preshevës me shumicë shqiptare, në jug të Serbisë. Kryetarja e Komunës, Ardita Sinani:

Një moment historik për Luginën.

Për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, Sinani tha se kongresmenëve synon t’iu theksojë disa nga problemet kryesore me të cilat përballet popullsia shqiptare në Luginën e Preshevës.

Para së gjithash, bëhet fjalë për përfaqësimin e pamjaftueshëm institucional të shqiptarëve në institucionet shtetërore, çështjen e pasivizimit të adresave, mosnjohjen e diplomave të fituara në Republikën e Kosovës, zhvillimin e pabarabartë ekonomik, shkallën e lartë të papunësisë dhe shpërnguljen e vazhdueshme të të rinjve.

Sinani shtoi se do të shtjellohet edhe nevoja e zbatimit të qëndrueshëm të marrëveshjeve të arritura më herët, që kanë të bëjnë me të drejtat e shqiptarëve në këtë rajon, si dhe çështjen e bllokimit të mjeteve financiare të autoriteteve kosovare për mbështetjen e popullsisë shqiptare në Luginë.

Në veçanti do të hapim edhe çështjen e paralajmëruar të vendosjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak, duke pasur parasysh ndjeshmërinë dhe shqetësimin e qytetarëve në Luginën e Preshevës lidhur me këtë çështje, si dhe nevojën që të gjitha proceset të zhvillohen me besim të plotë dhe trajtim të barabartë për të gjitha komunitetet.

Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës dhe shteti i Serbisë kanë arritur tri marrëveshje, në vitet 2001, 2007 e 2013, që parashikojnë mbrojtjen e të drejtave dhe integrimin e pakicës shqiptare, por këto marrëveshje nuk janë zbatuar.

Integrimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore është pjesë e detyrimeve të Serbisë në kuadër të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në janar të këtij viti, me iniciativën e Self-it, anëtarët e Komitetit për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan miratuan  një projektligj, që i kërkonte sekretarit amerikan të Shtetit të përgatiste një raport gjithëpërfshirës për pozitën e pakicave në Serbi, me fokus të veçantë te shqiptarët në Luginën e Preshevës.