Aktualitet Politikë Zgjedhjet 2025

PD-ja fiton Lezhën, por ndarja e mandateve mund të ndikohet nga Diaspora!

Sipas rezultateve paraprake, Partia Demokratike ka dalë forcë e parë në Lezhë, duke siguruar 29,484 vota ose 45.13%, ndërsa Partia Socialiste ka marrë 27,585 vota apo 42.23% me një diferencë prej 1 mijë e 899 votash në favor të opozitës. Në bazë të këtyre rezultateve paraprake, Partia Demokratike arrin të sigurojë 4 mandate deputetësh dhe Partia Socialiste merr 3 mandate në këtë qark verior.

Megjithatë, mbetet për t’u përfunduar numërimi i votës së Diasporës për Qarkun Lezhë, votë e cila mund të ketë një ndikim në shpërndarjen e mandateve. Sa i përket partive më të vogla, koalicioni “Nisma-Shqipëria Bëhet” ka marrë 3 mijë e 614 vota ose 5.53% ndërsa Koalicioni Euroatlantik i Lulzim Bashës, siguroi 1 mijë e 594 vota ose 2.44%, por asnjë prej këtyre subjekteve nuk ka arritur të sigurojë mandate në Lezhë.

Zhvillimet e mëtejshme do të varen nga numërimi i votave të ardhura nga emigracioni, të cilat mbeten një faktor i rëndësishëm në përcaktimin e bilancit përfundimtar të mandateve në Lezhë. Ndërkohë, pasditen e sotme, aty pritet të nisë numërimi i votave preferenciale të kandidatëve në listë të hapur, vota të cilat do të përcaktojnë tre deputetët e listave të hapura që do të shkojnë në Kuvend.