Në raport me grupet më të reja të popullatës, pensionistët shqiptarë janë më të palumturit. Indeksi Global i Lumturisë i renditi pensionistët shqiptarë të 100-ët nga ata në 143 vende të botës për këtë vit. Në indeksin e përgjithshëm ku përfshihen të gjitha grupmoshat, Shqipëria ishte e 87-ta mes 143 shteteve. Në grupmoshën 60+, kishim renditje të dobët, duke lënë pas vetëm vendet e Afrikës.
Pensionistët shqiptarë janë më të palumtur edhe në krahasim me grupmoshat e tjera të popullsisë, të rinjtë dhe mosha e mesme. Indeksi tregoi se vitin e kaluar, pensionistët shqiptarë kishin nivele lumturie më të ulëta se më 2006-ën.
Në të gjitha vendet në Europën Qendrore dhe Lindore, ata 60 vjeç e lart, janë më pak të lumtur.
Hulumtimet nga paketa globale për lumturinë treguan se “pabarazia e mirëqenies ka efekt më të madh në lumturinë e përgjithshme se pabarazia e të ardhurave” e se në shpërndarjen e lumturisë, pasqyron pabarazitë e aksesit në mirëqenie, duke përfshirë të ardhurat, arsimin, kujdesin shëndetësor, pranimin social, mjediset sociale mbështetëse në familje, etj.
Në moshën mbi 60 vjeç, pasojat e mungesës së mirëqenies dhe problemet shëndetësore janë më të mëdha. Vendet me sisteme të forta të shëndetësore e mbrojtje sociale kanë nivel më të lartë të lumturisë për grupmoshën mbi 60 vjeç.
Nga ana tjetër, një seri kërkimesh dhe studimesh sugjerojnë se ndërsa njerëzit plaken, përgjithësisht i kushtojnë më shumë rëndësi aspekteve pozitive të jetës. Kjo shpjegon se përse vlerësimet e jetës rriten me moshën. Por nëse mosha e tretë përballet me probleme akute, si gjendje jo e mirë shëndetësore e të ardhura të pamjaftueshme, kjo i pengon të perceptojnë gjërat pozitive të jetës.
Pensionistët shqiptare jetojnë në varfëri për shkak të të ardhurave të ulëta, që janë nën nivelin relativ të varfërisë 6.7 USD në ditë. Në Shqipëri, personat mbi 49 vjeç janë më të palumtur se 15 vite më parë. Në total, shqiptarët ishin më të palumturit në Europë, pas turqve në vitin që po lëmë pas./Monitor