Bota

Për herë të parë në histori! Republika Çeke, e pavarur nga nafta ruse!

Republika Çeke është e pavarur nga nafta ruse për herë të parë në historinë e saj, ka njoftuar kryeministri i vendit.

Praga tani po merr furnizime alternative me karburant falë zgjerimit të gazsjellësit perëndimor Transalpin, i cili kalon nëpër Itali, Austri dhe Gjermani.

Masa nënvizon përpjekjet evropiane për t’i dhënë fund varësisë nga nafta dhe gazi rus në përgjigje të pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Moska në vitin 2022.

“Për herë të parë në histori, Republika Çeke furnizohet plotësisht nga nafta jo-ruse dhe furnizohet plotësisht përmes rrugëve perëndimore,” tha Petr Fiala, kryeministri i Republikës Çeke.

Çekia, shtet anëtar i Bashkimit Evropian, me një popullsi prej 10.5 milionë banorësh, më herët gjatë këtij viti ka ndërprerë furnizimet me gaz rus.

Dy rafineri në Republikën Çeke vitin e kaluar kishin pranuar 7.4 milionë tonë naftë dhe 56 për qind e naftës kishte ardhur nga Rusia përmes tubacionit Druzhba.

BE-ja në maj të vitit të kaluar vendosi ndalesa për shumicën e importeve të naftës ruse, për shkak të luftës së Moskës ndaj Ukrainës. Megjithatë, nga sanksionet nuk u prek tubacioni Druzhba.

Kryeministri çek, Petr Fiala, tha se mospërfshirja e këtij tubacioni në sanksione, i dha kohë Pragës që të negocionte marrëveshjen me TAL-in.