Tech

Përdoruesit të pakënaqur me ChatGPT 5.2!

OpenAI ka sjell modelin e ri ChatGPT 5.2 si përgjigje ndaj modelit të ri Google Gemini, por reagimet e para të përdoruesve janë tejet negative. Ky model i ri i inteligjencës artificiale, një nga chatbot-et më të përdorur në botë, është i disponueshëm vetëm disa ditë, por rrjetet sociale janë mbushur me komente të përdoruesve që shprehin pakënaqësi. Me këtë lëvizje, OpenAI tentoi të tregojë fuqinë e tij kundër modelit të rivalit të tij nga Google, por duket se përshtypja e parë nuk është mirëpritur. Shumë përdorues e perceptojnë versionin 5.2 si më pak kreativ dhe më të mërzitur, madje disa e quajnë “hap mbrapa” krahasuar me versionin 5.1.

Disa shprehin se është më i zymtë dhe jo aq i këndshëm për bisedë, ndërsa të tjerë thonë se nuk ka “shpirt” apo ndjenjë dinamike si më parë.  Rikujtojmë, se OpenAI po prezanton GPT-5.2, modeli më i avancuar për detyra intelektuale. Versioni i ri ka përmirësuar ndjeshëm shkrimin e kodit, punën me dokumente të mëdha dhe kryerjen e kërkimeve. Ky model bën më pak gabime dhe ofron performancë të përmirësuar, duke përfshirë kohë më të shkurtër përgjigjeje. ChatGPT tani përfshin tre versione të reja për përdoruesit me pagesë; Instant, Thinking dhe Pro. Modeli tejkalon profesionistët në 44 fusha dhe është përditësuar me të dhëna deri në gusht të vitit 2025.

Ndërkaq, aplikacioni ChatGPT për iPhone po përgatitet për një përditësim të rëndësishëm. Zhvilluesit po punojnë për të lejuar integrimin e të dhënave nga Apple Health, që mund t’i japë përdoruesve përvojë më personale dhe ndihmë më të mirë. Në versionin më të fundit të kodit të aplikacionit është parë ikonë e re e “Apple Health”, si dhe referenca që tregon se ChatGPT mund të ketë qasje në të dhënat për aktivitetin, gjumin, ushqimin, frymëmarrjen dhe faktorë të tjerë shëndetësorë me qëllim që të ofrojë rekomandime dhe përgjigje më të përshtatura për secilin përdorues.