Pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Bedri Hamza tha se partia e tij ka qenë konstruktive që Kosova të ketë president të ri, por vuri në dukje se situata është si është.
Shpreh keqardhje që kemi ardhur deri në këtë moment. Nuk ka pasur asnjë arsye, ka pasur më shumë sesa një alternativë. Përgjegjësia kryesore natyrisht se është mbi partinë fituese, partinë më të madhe, sepse ajo ka mundur t’i japë vendit president.
I thirrur për caktimin e datës së zgjedhjeve të reja pas shpërndarjes së Kuvendit nga presidentja, takimi i Osmanit me liderët e partive opozitare zgjati rreth një orë. Kryetarja e shtetit nxori dekret për shpërndarjen e parlamentit, pasi ky institucion dështoi mbrëmë të zgjidhte presidentin e ri, brenda afatit kushtetues. Partia Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti tha se do ta çojë në Kushtetuese vendimin e Osmanit.
Ndonëse mbetet e paqartë se kush ka të drejtë për proceset që e presin Kosovën ditët në vazhdim, njohësi i çështjeve politike Ilir Deda përmend datat 12,19 e 26 prill si mundësi për zgjedhje të reja. Presidentja Osmani e shpërndau Kuvendin në pamundësi të institucionit për të zgjedhur presidentin e ri e tha se datën e zgjedhjeve do ta caktojë pas konsultimeve me partitë politike.
Lëvizja Vetëvendosje, në anën tjetër, beson që ka vepruar në përputhje me Kushtetutën në këtë drejtim. Disa njohës të çështjeve të drejtësisë besojnë se dekreti i Osmanit është jokushtetues dhe e interpretojnë ndryshe një afat 60-ditor për zgjedhjen e presidentit.
Osmani tha se ndonëse procedura për zgjedhjen e presidentit mund të fillojë 60 ditë para afatit të fundit, nuk mund të shtyhet, por patjetër duhet të përfundojë jo më vonë se 30 ditë të përfundimit të mandatit aktual, që në këtë rast do të thotë data 5 mars.
Të tjerë besojnë se afati 60-ditor rrjedh prej ditës së nisjes së procedurës për zgjedhje të presidentit. Mbetet të shihet nëse dekreti do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim.
Drejtuesit e partive politike në Kosovë janë takuar disa herë ditët e fundit, në përpjekje për të arritur deri te një figurë konsensuale për president, por nuk është arritur asgjë.
Presidentja Osmani e pati bërë të ditur se synon edhe një mandat si presidente, por emrin e saj nuk e ka propozuar askush në Kuvend, madje as Lëvizja Vetëvendosje që kishte vota të mjaftueshme për të kandiduar dy figura për këtë pozitë.
LVV ka 57 vende në Kuvend ndërsa për të kandiduar një emër nevojiteshin 30 firma. Partia pati thënë se i ka ofruar Osmanit 30 nënshkrime, por ajo nuk pranoi. Më vonë Presidenca deklaroi se këto pretendime janë gënjeshtra.
Në rritje e sipër të paqartësive, dje Osmani nisi disa amendamente për shqyrtim në Kuvend, që presidenti i Kosovës të zgjidhet me votë nga populli dhe jo nga parlamenti.
Në konferencën për media të 6 shkurtit, tha se ato amendemente nuk do të kishin asnjë efekt për zgjedhjen e presidentit që do të duhej të zgjidhej deri dje në mbrëmje.
Arsyeja është e thjeshtë, vetë amendamentet parashikojnë që procedura për zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt nga populli duhet të fillojnë gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të presidentit aktual.
Ato amendamente janë hartuar mbi një dekadë më parë dhe e kanë marrë dritën jeshile të Gjykatës Kushtetuese, por pa u jetësuar kurrë. Vota të mjaftueshme për miratimin e tyre nuk kishte as dje.