Aktualitet Politikë

Përkujtohet Azem Hajdari, Berisha: Luftojmë për kthimin e votës së lirë!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, sot bëri homazhe pranë monumentit përkujtimor të Azem Hajdarit, 27 vjet nga vrasja e tij pranë ish-selisë së PD-së në Tiranë.

Në këtë përvjetor, të rënies së tij për të mbetur i pavdekshëm, Azem Hajdari, së bashku me sivëllaun e tij, Besim Çerja, janë më të gjallë se kurrë, në idealet e shqiptarëve që aspirojnë lirinë dhe dinjitetin njerëzor. Idealet e Azem Hajdarit, sot janë më kushtruese, më ftuese se kurrë që nga viti 1990 e gjer në këtë moment, mbasi Shqipëria është zhytur sot në formën më të shëmtuar të diktaturave, që është diktatura e drogës, krimit dhe vjedhjes së shqiptarëve.

Sot pluralizmi për të cilin Azem Hajdari dhe studentët liberatorë ecën drejt sakrificave sublime, për rivendosjen në Shqipëri të pluralizmit, defacto është i shtypur, i dhunuar. Sot vota e lirë nuk ekziston, fjala e lirë është në satrin e xhelatëve të pushtetit, në satrin e Edi Ramës, siç ishte ajo në diktaturën tjetër kur i ati i tij xhelat firmoste varje të poetëve, ekzekutim të qytetarëve për fjalën e lirë, mendimin e lirë.

Sot është një ditë betimi do të thosha për çdo demokrate e demokrat shqiptar, për çdo deputete dhe deputet të PD-së, për çdo drejtuese dhe drejtues të kësaj partie dhe mbështetësit e saj, që të ngrihemi për të shpëtuar Shqipërinë, për të çliruar Shqipërinë, për të shpëtuar pluralizmin, për të shpëtuar votën e lirë, për të rikthyer votën e lirë, për të shpëtuar fjalën e lirë. Dhe njëherë të gatshëm për çdo çmim, për çdo sakrificë, mbasi liria ka çmim, liria dhe dinjiteti kërkojnë sakrifica.

Më 12 shtator 1998 në Tiranë u vra Azem Hajdari, një nga figurat kryesore të lëvizjes studentore të vitit 1990 dhe deputet i Partisë Demokratike. Ai u qëllua me armë zjarri pranë selisë së PD-së, së bashku me truprojën Besim Çera, i cili mbeti i vrarë në vend.

Ngjarja ndodhi në një kohë tensionesh të forta politike mes maxhorancës socialiste e opozitës demokrate. Vrasja e Hajdarit shkaktoi protesta të dhunshme nga mbështetësit e PD-së, të cilët sulmuan institucione shtetërore dhe u përplasën me forcat e rendit. Për vrasjen është dënuar me burgim të përjetshëm Jaho Mulosmani, por motivet dhe prapaskenat politike të atentatit mbeten të debatueshme.