Në mesnatën e 31 gushtit 1997, Princesha Diana humbi jetën në një aksident tragjik automobilistik në Paris, ngjarje që tronditi Mbretërinë e Bashkuar dhe mbarë botën.
Diana, e shoqëruar nga partneri i saj Dodi Fayed dhe shoferi Henri Paul, u nisën nga hoteli “Ritz” drejt apartamentit të Dodit në Champs-Elysees.
Ndërsa makina Mercedes-Benz W140 udhëtonte me shpejtësi të lartë në tunelin “Pont de l’Alma”, u përplas fillimisht me një Fiat Uno të bardhë dhe më pas me një shtyllë.
Nga goditja humbën jetën Diana, Dodi Fayed dhe shoferi Henri Paul, i cili rezultoi se kishte konsumuar alkool para se të drejtonte mjetin. Truproja Trevor Rees-Jones, i vetmi që mbante rrip sigurimi, mbijetoi, por u plagos rëndë.
Lajmi i vdekjes së Dianës, vetëm 36 vjeç, u pasua nga një valë pikëllimi e paparë në Mbretërinë e Bashkuar dhe më gjerë.
Funerali i saj më 6 shtator 1997 u ndoq nga rreth 32 milionë shikues vetëm në Britani dhe rreth 2.5 miliardë njerëz në mbarë botën, duke e shndërruar në një nga ngjarjet më të ndjekura të shekullit XX.